Trajtimet me Evolution Light Machine

<< Kthehu pas



Para fillimit të procedurës me Evolution Light Machine specialisti i KEIT® do t’ju shpjegojë se si kryhet trajtimi me këtë pajisje, duke përcaktuar me qartësi obiektivat që mund të realizohen. Është e rëndësishme që të vendoset një diagnozë korrekte e problemit që duhet trajtuar. Kjo procedurë është zakonisht e thjeshtë për t’u kryer, por sidoqoftë, duhet realizuar nga duar eksperte. Disa ditë para dhe pas trajtimit me Evolution Light Machine këshillohet të evitohet ekspozimi në Diell të fortë. Para trajtimit, në disa raste, mund të jetë e nevojshme të aplikohet xhel i freskët, megjithëse pajisjet moderne kanë të integruar në dorezë një sistem ftohje për lëkurën. Gjatë gjithë seancës së trajtimit me Evolution Light Machine, estetisti dhe personi në fjalë duhet të përdorin syze mbrojtëse të posaçme. Më pas, sipërfaqja e lëmuar e xhamit të dorezës, mbështetet në lëkurën e zonës që duhet trajtuar duke lëshuar impulse drite të pulsuar. Kandidatë idealë për trajtimet me Evolution Light Machine janë personat me lëkurë të bardhë dhe pjesët e lëkurës objektiv i trajtimit me ngjyrë të errët, apo në rastet e depilimit, me qime të errëta. Shumë persona me lëkurën me ngjyrë të errët nuk janë të rekomanduar për të kryer trajtime me këtë pajisje, pasi rezultatet nuk janë optimale. Çdo zonë e trupit mund të trajtohet me Evolution Light Machine, duke përjashtuar zonat përreth syve dhe organet gjenitale.
Depilimi permanent me Evolution Light Machine
Për të përcaktuar nëse një metodë depilimi mund të quhet e përhershme, është e nevojshme të vlerësohet efikasiteti i trajtimit për një kohë të gjatë. Një vit, është përiudhë e shkurtër për të vendosur për një vlerësim të tillë, e sidoqoftë, shumica e personave që zgjedhin një trajtim me Evolution Light Machine, janë të kënaqur nëse do të nevojitej një seancë trajtimi një herë në vit. Qëllimi i trajtimit me Evolution Light Machine është të shkatërrohet melanina duke shkaktuar një dëm termik dhe mekanik në bulbet e qimeve, pa prekur lëkurën dhe indet e tjera përreth. Depilimi me Evolution Light Machine nuk arrin të eliminojë të gjitha qimet, pasi këto të fundit, do të vazhdojnë të rriten edhe pas trajtimit, sipas ciklit të tyre rigjenerues. Pas çdo seance, qimet bien dhe nuk ripërtërihen për një kohë relativisht të gjatë. Gjatë rigjenerimit, qimet e reja do të jenë më të holla, më të dobëta dhe më pak të dukshme. Mesatarisht, pas 4 – 6 seanca trajtimesh, kjo ripërtëritje bllokohet për 50 - 80% të qimeve në zonat e trajtuara dhe rezultati përfundimtar është shumë i bukur dhe afatgjatë.
Kandidatë idealë për depilimin me Evolution Light Machine janë personat me lëkurë të bardhë dhe me qime të errëta. Shumë persona me lëkurën me ngjyrë të errët nuk janë të rekomanduar për të kryer depilim me këtë pajisje, pasi rezultatet nuk janë optimale. Pra, si rregull, qimet duhet të jenë më të errëta se lëkura përreth tyre. Çdo zonë e trupit mund të trajtohet me Evolution Light Machine, duke përjashtuar zonat përreth syve dhe organet gjenitale. Kjo procedurë është e shpejtë, psh. për depilimin e sqetullave, zakonisht janë të mjaftueshme 5 – 10 minuta, ndërsa një seancë e plotë e depilimit të zonave më të gjera zgjat mesatarisht 20 – 30 minuta.
Efektet anësore të trajtimeve me Evolution Light Machine janë të rralla, të lehta dhe largohen brenda një kohe të shkurtër. Mund të vërehet pak dhimbje, skuqje, ënjtje e lehtë e në raste shumë të rralla, sidomos tek personat me lëkurë delikate, mund të formohen veshika të vogla. Ndonjëherë, qelizat e pigmentit (melanocitet) mund të dëmtohen dhe të formohen njolla të vogla, të bardha në lëkurë, të cilat edhe këto largohen gradualisht brënda disa ditësh.
Duhet theksuar se metoda e vetme, 100% efikase, e provuar klinikisht për eliminimin përfundimtar të qimeve, është elektroliza. Me këtë teknikë, bulbet e qimeve neutralizohen një e nga një nëpërmjet një age të posaçme. Kjo kërkon një përgatitje të veçantë të estetistit si dhe shumë durim, qoftë nga ana e operatorit, e qoftë nga personi që i nënshtrohet trajtimit. Si rrjedhojë, metoda e elektrolizës është shumë e kushtueshme dhe kërkon shumë kohë për t’u realizuar.
Trajtimet e fytyrës me Evolution Light Machine
Mund t’i thoni lamtumirë akneve, kapilarëve të vegjël, rrudhave apo efekteve të dëmshme të Diellit si njolla të ndryshme, hiper - pigmentimit etj. Nëse lëkura ka humbur gjyrën, shkëlqimin dhe freskinë, si pasojë e tymit të duhanit, ekspozimit ndaj rrezeve të Diellit, faktorëve hormonalë etj., Evolution Light Machine është trajtimi i duhur për zgjidhjen e këtyre problemeve estetike të fytyrës, qafës dhe dekoltesë së kraharorit. Sidoqoftë, duhet theksuar se personat me lëkurë të errët apo që janë të nxirë nga rrezet e Diellit dhe përdorimi i llampave, nuk janë kandidatë optimalë për këtë procedurë. Evolution Light Machine është pajisja moderne e mjekësisë estetike e cila trajton me rezultate mahnitëse lëkurën, duke eliminuar shenjat e pakëndshme, për t’i dhuruar asaj një aspekt më të bukur, rinor dhe plot dritë. Trajtimi i fytyrës me Evolution Light Machine, i cili zgjat rreth 30 minuta, shfrytëzon aftësinë depërtuese të rrezeve të pulsuara të dritës, në thellësi të shtresave të lëkurës. Në këtë mënyrë, goditen kapilarët e vegjël të gjakut duke eliminuar njollat e kuqe në fytyrë si dhe duke stimuluar prodhimin e kolagjenit, i cili redukton rrudhat e moshës dhe i jep fytyrës një pamje rinore, plot shkëlqim dhe dritë(shiko edhe "Video ilustruese"). Procedura nuk shkakton dhimbje, vetëm ndonjë ndjenjë bezdie të lehtë në lëkurë. Skuqja dhe ënjtjet e lehta, që në raste të veçanta mund të vërehen në lëkurë, largohen brenda një kohe të shkurtër. Pas trajtimit, rezultatet fillojnë të bëhen gradualisht të dukshme dhe arrijnë maksimumin në javët që vijojnë. 
Foto - rinimi i lëkurës

Ky term i referohet trajtimit jo – invaziv të njollave të lëkurës, të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm dhe kalimi i viteve. Si rezultat, lëkura është më e lëmuar, më uniforme dhe me pamje rinore. Foto – rinimi është një medotë e sigurt dhe efikase për të përmirësuar gjurmët e viteve në lëkurën e fytyrës, qafës, gjoksit, krahëve dhe duarve. Për një cikël të plotë trajtimi, zakonisht janë të nevojshme 4 – 6 seanca rreth 20 minuta secila, me një distancë prej 3 javësh njëra nga tjetra. Është e rëndësishme që trajtimet të jenë të personalizuara, në varësi të problemeve që paraqet lëkura e secilit individ, si dhe gjendjes së përgjithshme të organizmit.
Shumica e personave mund të kthehen menjëherë në jetën e tyre normale, pas trajtimeve me Evolution Light Machine. Seancat me këtë pajisje moderne nuk janë të dhimbshme dhe goditjet e flash-it të dritës ndjehen lehtësisht në lëkurë. Në realitet, një numër gjithmonë e më i madh personash e kryen këtë trajtim gjatë pushimit të drekës dhe më pas kthehet normalisht në punë. Në orët e para pas procedurës, mund të ketë një acarim të lehtë të lëkurës, sidomos në zonat më qime të dendura. Pas trajtimit, është e këshillueshme përdorimi i kremit solar për të mbrojtur lëkurën. Meqenëse Evolution Light Machine ka si obiektiv shtresat e thella të lëkurës, mund të kryhet edhe së bashku me trajtime të tjera si dermoablazioni, peeling, lazer fraxel etj., të cilët veprojnë në shtresat sipërfaqësore të saj (epiderma).

Trajtimet me Evolution Light Machine nuk këshillohen në rastet e mëposhtme:
   - persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme si epilepsia, probleme të rënda të zemrës, pacemaker ose defibrilator kardiak, sëmundje imunodepresive apo persona që trajtohen me barna imunosopresore, diabet dhe sëmundje endokrine në fazë të avancuar, probleme të mpiksjes së gjakut, etj.
   - persona me lëkurë të ndjeshme ndaj dritës (fotosensibël) ose që kanë marrë kohët e fundit barna si tetraciclina
   - të predispozuar në formimin e cikatriceve të mëdha, keloide, lëkura shumë e thatë dhe e dobët
   - gra shtatzëne apo që ushqejnë me qumësht gjiri
   - nëse lëkura ka ngjyrë të errët ose ka patur ekspozim të gjatë ndaj rrezeve të Diellit apo llampave abronzante në dy javët e fundit
   - proteza apo impiante metalike në sipërfaqe, në zonën e trajtuar
   - nëse ka variçe, nishane, cikatrice, plagë, djegie, ekzema, herpes dhe pjesë të errëta të mëdha të lëkurës, në zonën që duhet trajtuar
   - nëse përdoren barna që stimulojnë rritjen e qimeve si minoxidil
   - nuk ka efekt në zonat e mbuluara nga tatuazhe apo truk i përhershëm