Trajtimet me Lazer fraksional CO2

<< Kthehu pas



Kalimi i viteve, ekspozimi ndaj rrezeve të Diellit, stresi oksidativ, duhani dhe stili i jetës, janë faktorë të cilët lënë gjurmë të paevitueshme në lëkurë si rrudha, kapilarë të vegjël, njolla të moshës apo edhe nga hormonet e barnat. Më së fundi, mjekësia estetike ofron teknologjinë moderne të Lazer fraksional CO2 për përmirësimin e këtyre problemeve të lëkurës. Kjo pajisje prodhon një rreze drite e cila godet në mënyrë të përzgjedhur, në mijëra pikëza mikroskopike lëkurën, pa prekur pjesën e shëndoshë, duke bërë të mundur më pas shërimin dhe rigjenerimin e saj. Nga këto copëza lëkure të shëndoshë fillon procesi i rigjenerimit që bën të mundur një shërim të shpejtë brënda 4 – 5 ditësh. Në thellësi (derma), lazeri provokon aktivizimin e fibroblasteve, pra qelizave të cilat prodhojnë kolagjen, acidin hialuronik dhe elastinën(lexo edhe "“Lazer fraksional CO2”"). Trajtimi me Fraxel ristrukturon dhe restauron lëkurën e dëmtuar për t’i dhuruar asaj një aspekt më të bukur dhe rinor. Edhe kjo teknikë e mjekësisë estetike, në duar eksperte, është një procedurë e sigurt, jo-invazive dhe shërben për të përmirësuar sipërfaqen e lëkurës pasi:
    - hap dhe zmadhon poret, efekt lifting  në fytyrë,
    - redukton rrudhat rreth syve dhe cikatricet e akneve, rinon dhe rifreskon qafën, dekoltenë dhe duart,
    - eliminon njollat e errëta, i rikthen lëkurës shkëlqim dhe dritë,
    - redukton smaljaturat në zonën e barkut, ijeve, kofshëve (kur janë në fazë fillestare, pra me ngjyrë të kuqe - rozë).
Meqenëse trajtimi me Fraxel nuk prek lëkurën e shëndoshë, mund të aplikohet me efikasitet edhe në zonat më delikate si fytyra, gusha, dekolteja, krahët, duart etj. Një vantazh i veçantë i Lazer fraksional CO2 është edhe mundësia e trajtimit të çdo personi, të çfarëdo moshe, seksi apo gjyre lëkure. Mund të kryhet rregullisht edhe gjatë periudhës së verës pasi, pas trajtimit, është e mjaftueshme të lyhet lëkura me krem solar.
Gjatë konsultës, mjeku estetist studion me kujdes problemet e lëkurës dhe përcakton programin optimal për rastin specific. Në varësi të sipërfaqes që duhet trajtuar, çdo seancë me Fraxel përfshin 20 – 25% të zonës së lëkurës. Për këtë arsye, zakonisht është e nevojshme një program trajtimi prej 3 – 5 seancash, me interval 2 - 4 javë njëra nga tjetra. Rezultatet janë të menjëhershme dhe progresive, pra pas 2 – 3 muajsh, arrijnë maksimumin. Trajtimi me lazer kryhet në kushte ambulatoriale dhe nuk ka nevojë për anestezi, duke përjashtuar raste të veçanta kur mund të aplikohet krem anestetik në lëkurë disa minuta para procedurës. Një seancë me Lazer fraksional CO2 zgjat mesatarisht 30 – 60 minuta, në varësi të sipërfaqes që duhet trajtuar (fytyra, dekolteja, duart etj). Pas procedurës, për rreth një orë, do të keni ndjesinë e një djegie të lehtë në lëkurë e cila do të jetë e skuqur dhe e ënjtur lehtësisht (e ngjashme me atë pas qëndrimit nën rrezet e Diellit apo edhe pas një seance në solarium me llampa abronzante të presionit të lartë). Fraxel është një lazer jo – ablativ, pra pasojat pas trajtimit janë minimale në krahasim me lazer të tjerë, për këtë arsye edhe shërimi i mikro – dëmtimeve në lëkurë, si rrjedhojë edhe rekuperimi është shumë i shpejtë. Zakonisht, ënjtjet janë të vogla dhe largohen brënda 1 – 2 ditësh. Skuqja e lëkurës largohet gradualisht pas 5 – 7 ditësh dhe është shenjë që shtresat e saj po rigjenerohen në thellësi. Femrat mund të aplikojnë menjëherë trukun ndërsa meshkujt mund edhe të rruajnë mjekrrën pas 24 orësh, si dhe të rifillohet jeta sociale normalisht. Sidoqoftë, në disa raste, rekuperimi është disi më i ngadaltë, në varësi të karakteristikave individuale si dhe llojit të trajtimit të aplikuar. Meqenëse lëkura e ruan funksionin e saj mbrojtës, zakonisht nuk është i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve pas procedurave me lazer. Ditët në vazhdim, do të vërehet shfaqja e një “pseudo – nxirje (abronzature)” dhe rënia e shtresës sipërfaqësore e cila do të zëvendësohet nga lëkura e re e rigjeneruar. Gjatë kësaj periudhe nuk këshillohet të bëhen llampa abronzante dhe të qëndrohet për një kohë të gjatë nën rreze Dielli të fortë. Këshillohet aplikimi i kremit solar me filtër mbrojtës të lartë për të paktën dy herë në ditë si dhe krem hidratues cilësor 2 – 3 herë në ditë, sidomos gjatë periudhës së rigjenerimit të lëkurës. Sipas nevojës, mund të aplikohet në lëkurë një krem kortizon – antibiotik. Muajt në vazhdim, trupi ripërtërin gradualisht edhe shtresat e thella të lëkurës, duke i dhuruar kësaj të fundit një pamje rinore dhe plot dritë.
Trajtimi me Lazer Fraxel nuk rekomandohet në gratë shtatëzanë apo që ushqejnë me qumësht gjiri, infeksione të lëkurës nga herpes etj, dermatite, persona në terapi me kortizon, sëmundje autoimune dhe sëmundje të kolagjenit.