5 receta të mrekullueshme me kafe.

Në botën e kozmetikës, kafeina është e shkëlqyeshme për stimulimin dhe zgjimin e lëkurës dhe është e mundur që ta përfshijmë atë në rutinën e bukurisë që përdorim në shtëpi, duke përdorur kafenë që pimë çdo ditë si përbërës kryesor.
Këto 5 receta të thjeshta që kanë kafe brenda, do të zgjojnë në maksimum bukurinë tuaj natyrale.

Kafeja ka përbërësin kryesor alkaloid, kafeinën. Në kozmetikë, ky element vlerësohet për përfitimet që i jep shëndetit të lëkurës. Nëse shikoni etiketat e produkteve kozmetike që përdorni, do të vini re që kafeina është e pranishme në shumë formula.
Sigurisht, në varësi të llojit të lëkurës dhe zonës që do të trajtohet, kafeina funksionon në mënyra të ndryshme. E mira është që kjo substancë mund të përdoret në gjendjen e saj më natyrale, për të përgatitur kremra, shampoo dhe pastrues lëkure, pa përbërës artificialë, të cilët ndihmojnë për t’i dhënë lëkurës dhe flokëve tuaj shkëlqim dhe shëndet.
Këtu janë 5 receta shumë të lehta:

1. Maska eksfoluese.
Kafeja është një eksfoliant natyror, i shkëlqyeshëm për heqjen e qelizave të vdekura të lëkurës. Stimulon prodhimin e kolagjenit dhe vepron si një anti-inflamator. Pas një maske relaksuese kafeje, lëkura në qafë dhe fytyrë do të jetë e butë, e pastër dhe e lëmuar.
Do t’ju duhet:
– 1 filxhan kafe (150 g).
– 1 gotë sheqer kaf (200 g).
– 3 lugë vaj ulliri (48 g).
– 2 lugë gjelle mjaltë (50 g).

Si ta përgatisni?
Përziejini të gjithë elementët në një enë dhe sigurohuni që maska të mos jetë shumë e trashë, që të përhapët lehtësisht në lëkurë.

Si ta përdorni?
Aplikoni një shtresë të maskës në të gjithë fytyrën dhe qafën. Ndërsa veproni kështu, shfrytëzoni rastin të masazhoni lëkurën. Lëreni derisa të thahet dhe shpëlajeni me ujë të ngrohtë. Mbajeni masën në një enë të mbyllur mirë në frigorifer, në mënyrë që të mund të aplikoni maskën një herë në javë.

2. Skrab për buzët.
Buzët janë kontribuesi më i madh për një buzëqeshje të bukur. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme t’i mbani të hidratuara dhe të shëndetshme. Kjo mund të realizohet duke pirë ujë mjaftueshëm, duke përdorur një balsam buzësh çdo ditë dhe duke hequr lëkurën e thatë. Gjëja e mirë është që ju mund të bëni një pastrim të thjeshtë dhe jo të kushtueshëm në shtëpi.
Do t’ju duhet:
– 1 lugë kafe.
– 2 lugë vaj ulliri (ose ndonjë vaj tjetër që preferoni).

Si ta përgatisni?
Përziejini të dy përbërësit në një filxhan ose tas derisa të kombinohen.

Si ta përdorni?
Aplikoni skrabin në buzët tuaja dhe përdorni gishtin për të masazhuar butësisht me lëvizje rrethore. Përdoreni të paktën 3 herë në javë. Shpëlajeni me ujë dhe më pas aplikoni balsamin hidratues të preferuar.

3. Shampoo.
Kafeja përmban veti që e bëjnë atë perfekte për kujdesin e flokëve dhe lëkurës së kokës. Ajo stimulon qarkullimin e gjakut dhe heq qelizat e vdekura të lëkurës, duke parandaluar humbjen e flokëve. Gjithashtu forcon flokët, errëson pak ngjyrën natyrale dhe siguron një aromë të këndshme. Nëse ëndërroni flokë të gjatë dhe të shëndetshëm, kjo shampoo është pikërisht ajo që ju nevojitet.
Do t’ju duhet:
– Shampoo neutral.
– 5 lugë kafe.
– 1 gotë ujë.

Si ta përgatisni?
Përdorni një shampoo që nuk përmban shumë komponentë. Nxeheni ujin pak, pa e zier atë. Lëreni të ftohet pak dhe përzieni ujin me kafenë në të njëjtën gotë. Me ndihmën e një gypi, vendoseni përzierjen në shishen e shampoos. Mbylleni dhe tundeni mirë. Lëreni shampoon në gjendje qetësie, për 2 orë para se ta përdorni.

Si ta përdorni?
Aplikoni shampoon si zakonisht, duke masazhuar kokën me një lëvizje rrethore. Lëreni produktin në qetësi për 5 minuta. Mund ta përdorni 2 ose 3 herë në javë.

4. Kujdesi për rrathët e errët poshtë syve.
Gjumi i dobët, stresi ose sëmundje të ndryshme janë shkaqet e shpeshta të shfaqjes së rrathëve të errët nën sy, të cilët ju bëjnë të dukeni të lodhur dhe më të vjetër. Luftimi ndaj tyre është shumë i thjeshtë dhe mund ta bëni duke përdorur vetëm 2 përbërës: kafe dhe një patate. Kafja e zezë gjeneron një rritje në prodhimin e kolagjenit. Për më tepër, patatet përmbajnë vitaminë B6 dhe vitaminë D, të cilat janë të mira për lëkurën. Përveç kësaj, ajo freskon pamjen.
Do t’ju duhet:
– 1/4 filxhan kafe e zezë, pa përmbajtje sheqeri.
– 2 feta patate.

Si ta përgatisni?
Zhytini 2 fetat e patates në një filxhan kafeje të zezë shumë të ftohtë. Lërini për 2 minuta dhe kullojini.

Si ta përdorni?
Vendosni feta mbi sytë tuaj dhe lërini për 20 minuta.

5. Skrab trupi.
Kafeja është shumë e mirë për të luftuar celulitin sepse siç përmendëm më parë, stimulon qarkullimin e gjakut. Kjo ndihmon në largimin e lëngut të tepërt që grumbullohet në indin lidhës. Duhen disa minuta shtesë për të përfshirë kafenë në rutinën tuaj të bukurisë, por padyshim që ia vlen koha.
Do t’ju duhet:
– 5 lugë kafeje e bluar.
– 3 lugë vaj gruri.
– Mbështjellëse plastike.

Si ta përgatisni?
Përziejini të dy përbërësit në një tas, derisa të formojnë një masë të trashë.

Si ta përdorni?
Aplikoni përzierjen në zonat e trupit që i konsideroni problematike (kofshët, krahët, të pasmet dhe barku). Mbulojeni me mbështjellëse plastike për 30 minuta. Hiqeni atë dhe masazhojeni zonën me lëvizje rrethore për 5 minuta dhe shpëlajeni me ujë të ngrohtë. Përdoreni dy herë në javë.