Anemia

Mungesa e hekurit është mungesa ushqimore më e përhapur në botë. Kjo mangësi prek rreth 2 miliardë njerëz në botë. Edhe pse shkenca ka përparuar shumë dhe informacioni është lehtësisht i arritshëm, ¼ e popullsisë së botës mbetet anemike dhe shkaku kryesor është mungesa e hekurit në ushqime. Te meshkujt e rritur dhe në moshën e tretë, kjo anemi shkaktohet si pasojë e humbjes kronike të gjakut. Te femijët dhe gratë, anemia mund të rezultojë si pasojë e marrjes së pamjaftueshme të hekurit nga dieta, humbje te gjakut, prodhim i ulët i rruazave të kuqe ose shtatzëni të shpeshta. Përgjithësisht, 90% e hekurit që hyn në organizëm ripërdoret dhe ushqimi zëvendëson humbjet e pakta të tij nëpërmjet djersës, feçeve, flokëve, thonjve dhe urinës, ndërsa te gratë në periudhën e riprodhimit zëvendëson humbjen nëpërmjet ciklit menstrual. Anemia e mungesës së hekurit është më e shfaqur te fëmijët, vajzat adoleshente, sportistët dhe gratë në moshë riprodhuese. Bebet që ushqehen me qumësht lope përpara kohe, mund të shfaqin humbje të gjakut nëpërmjet aparatit tretës dhe të kalojnë në anemi.

Personat që vuajnë nga sëmundje inflamatore të aparatit tretës mund të jenë gjithashtu të rrezikuar nga anemia. Një pjesë e mirë e personave anemikë mund të shfaqin “Pica”- një ç’rregullim që karakterizohet nga dëshira për të konsumuar lendë jo ushqyese si akull, shkumës etj. Matja e ferritinës në gjak është treguesi më i saktë i hekurit në organizëm. Nivelet e hemoglobinës dhe hematokritit janë gjithashtu tregues të mjaftueshmërisë së hekurit për formimin e rruazave të kuqe, por këto dy të fundit nuk tregojnë fazat fillestare të mungesës së hekurit. Fillimisht trupi e rregullon nivelin e hekurit në gjak, duke e marrë atë nga depozitat në formën e ferritinës dhe keshtu mund t’ja dalë për njëfarë kohe, deri sa depozitat të mbarojnë dhe të reflektojë në ulje të hemoglobinës dhe hematokritit, pra në anemi.

Ushqimet që nuk duhen konsumuar bashkë me hekurin janë:
– Çaji jeshil.
– Kafja.
– Drithërat me krunde.
– Soja.
– Qumështi.
– Kakao dhe çokollata.

Kur duhet të merrni suplement hekuri?
– Të gjithë personat që shfaqin anemi si pasojë e mungesës së hekurit duhet të marrin hekur plotësues.
– Mos i jepni kurrë fëmijëve hekur pa u këshilluar me mjekun pasi pasojat e mbingarkesës me hekur janë tepër të rrezikshme.
– Suplementi i hekurit duhet marrë të paktën 2 orë larg mjekimeve të tjera. Marrja e hekurit mund të pengojë veprimtarinë e ilaçit të tiroides (levotiroxinën), antibiotikëve dhe antidepresivëve.
– Hekuri në formën “ferrous sulfate” përthithet më shpejt në krahasim me format e tjera. Ky lloj hekuri mund të merret bashkë me ushqimin në ndryshim nga forma “ferric” e cila duhet të merret larg ushqimit.
– Përmirësimet në nivelet e hemoglobinës mund të duan nga 4 deri në 30 ditë të bëhen të dukshme në testin e gjakut. Plotësimi me hekur duhet të vazhdojë të paktën 2 muaj pasi nivelet e hemoglobinës rikthehen në normë, në mënyrë që të mbushen depozitat të cilat nevojiten 1 – 3 muaj të plotësohen. Nivelet optimale të ferritinës janë 40 – 60 microgram/L.
– Në shumë raste, fëmijë të shëndetshëm, të ushqyer ekskluzivisht me qumësht gjiri, mund të kenë nevojë për plotësim me hekur të bio-disponueshëm.