Rimodelimi i veshëve
Rimodelimi i veshëve

Edhe veshët, megjithëse nuk kanë një pozicion qendror në fytyrë, luajnë një rol të veçantë për hijeshinë e imazhit të femrës. Deformime të ndryshme mund të prekin një ose të dy veshët njëherësh dhe manifestohen zakonisht me një keqformim të kërcit, i cili duke mos u përthyer, qëndron i drejtë dhe i sheshtë. Si rrjedhojë, veshët qëndrojnë të hapur (llapushë) dhe janë në kontrast me formën e kokës, qafës dhe gjithë fytyrës. Ky difekt i lindur që vërehet shpesh te femrat, shkakton një problem të vërtetë estetik edhe pse nuk prek aspak funksionimin e organit.

Otoplastika është ndërhyrja e kirurgjisë estetike e cila korrigjon veshët e hapur duke i afruar ata me kokën. Ky operacion, i kryer nga duar eksperte, bën të mundur korrigjimin shumë të kënaqshëm dhe pa shenja të dukshme të deformimit të veshëve, sidomos “veshët llapushë”, duke i vendosur në një pozicion më korrekt dhe duke krijuar një raport të këndshëm të tyre në harmoni me kokën dhe fytyrën. Sipas rasteve, mund të nevojitet një ndërhyrje në të dy veshët ose vetëm në njërin prej tyre dhe teknika kirurgjikale mund të ndryshojë nga njëri vesh te tjetri. Ky operacion nuk ka asnjë efekt negativ mbi dëgjimin.

Çfarë duhet të dimë rreth ndërhyrjes?

  • Përpara ndërhyrjes kryhen egzaminimet pre-operatore (hemokromi dhe grupi i gjakut, testet e koagulimit të gjakut, testet biokimike, virale, testi i shtatzënisë, analizat e urinës, vizita me kardiologun dhe EKG-ja e zemrës, vizita me anestezistin, etj.).
  • Ndërhyrja kryhet me anestezi lokale dhe gjumë të lehtë ose edhe anestezi totale, sipas dëshirës së pacientit.
  • Zgjat 40 – 90 minuta.
  • Periudhë rikuperimi e shpejtë, me përmirësim gradual të pamjes së veshëve, rezultati konsiderohet final 6 – 10 muaj pas operacionit.
  • Disa orë ose një natë qëndrimi në klinikë.
  • Dhembje aspak ose të lehta e mëse të durueshme.
  • Të nxira dhe ënjtje të vogla që largohen gradualisht brenda 10 – 14 ditësh.
  • Shenja të vogla, të zbehta e pothuajse të padukshme, pasi do të jenë në pjesën e pasme të veshëve, të fshehura nga palat e lëkurës.

Këshillat pas operacionit:

  • Përdorim i antibiotikëve zakonisht deri 5 ditë pas operacionit.
  • Mbajtja e fashaturës mjekësore për 7 ditë.
  • Mjekime çdo 3 – 4 ditë, deri në heqjen e fashës mjekësore.
  • Zëvendësimi i fashës mjekësore me atë sportive dhe mbajtja e kësaj të fundit për 20 ditë.
  • Heqja e penjve (në rastet kur nuk janë të absorbueshëm) pas 8 – 10 ditësh.
  • Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.