Kequshqyerja dhe kirurgjia estetike
Në një epokë ku gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen kirurgjisë estetike, shpesh harrohet një element thelbësor për të arritur rezultate të qëndrueshme dhe të shëndetshme: ushqyerja e duhur. Kequshqyerja mund të ndikojë negativisht jo vetëm në shëndetin e përgjithshëm. Ajo ndikon edhe në mënyrën se si lëkura dhe trupi përballen me operacionet estetike.
Çfarë është kequshqyerja dhe si ndikon në lëkurë?
Kequshqyerja është gjendja e trupit kur nuk merr lëndët ushqyese të nevojshme në sasi të mjaftueshme, si vitamina, minerale dhe proteina. Një dietë e varfër ndikon në lëkurë duke reduktuar elasticitetin, shpejtësinë e rigjenerimit dhe aftësinë për t’u përballur me faktorë të jashtëm. Vitaminat dhe mineralet si vitamina C, zinku dhe hekuri janë esenciale për prodhimin e kolagjenit. Mungesa e tyre bën që lëkura të duket e lodhur dhe të jetë më e prirur për formimin e rrudhave dhe njollave të errëta.
Kequshqyerja dhe kirurgjia estetike: një kombinim i rrezikshëm
Për ata që planifikojnë një ndërhyrje estetike, si lifting i gjoksit apo i fytyrës, kequshqyerja mund të përbëjë një rrezik të shtuar. Një trup me ushqyerje të varfër është më pak i aftë të shërohet shpejt dhe efektivisht pas një operacioni. Pacientët që vuajnë nga mungesa e proteinave, mund të përballen me shërim të ngadalshëm dhe formim të plagëve më të dukshme. Përveç kësaj, mungesa e zinkut dhe e vitaminës C, të cilat ndihmojnë në rigjenerimin e lëkurës, bën që rikuperimi të zgjasë dhe rrit gjasat për infeksione ose komplikime të tjera.
Këshilla për pacientët që planifikojnë kirurgji estetike
Nëse jeni duke menduar për një procedurë estetike, është e rëndësishme që të përgatisni trupin tuaj me një dietë të balancuar. Një dietë e pasur me proteina, vitamina dhe minerale ndihmon trupin të përballojë më mirë stresin e operacionit dhe të minimizojë rrezikun e komplikimeve. Gjithashtu, konsultimi me një dietolog para procedurës mund të jetë një hap i mençur. Kjo, për të ndihmuar në krijimin e një plani ushqimor të përshtatshëm, i cili përshpejton shërimin dhe përmirëson elasticitetin dhe tonin e lëkurës.
Kequshqyerja dhe shendeti
Kequshqyerja ka ndikime të thella në shëndetin e përgjithshëm të organizmit, duke prekur funksionet jetësore dhe cilësinë e jetës në mënyra të ndryshme. Ja ndikimet kryesore të saj:
- Dobësimi i sistemit imunitar. Kequshqyerja dëmton aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet dhe sëmundjet, duke e bërë individin më të ndjeshëm ndaj viruseve, baktereve dhe infeksioneve të tjera. Mungesa e vitaminave dhe mineraleve si vitamina C dhe zinku përkeqëson funksionin e imunitetit.
- Probleme me zhvillimin dhe rritjen. Tek fëmijët dhe adoleshentët, kequshqyerja ndikon drejtpërdrejt në rritjen fizike dhe zhvillimin mendor, duke çuar në probleme të ngadalësimit të rritjes dhe dëmtime afatgjata në zhvillimin e trurit.
- Dobësimi i kockave dhe muskujve. Kequshqyerja ndikon në dendësinë e kockave dhe forcën e muskujve për shkak të mungesës së proteinave, kalciumit dhe vitaminës D. Kjo rrit rrezikun e osteoporozës dhe humbjen e masës muskulare, veçanërisht tek të moshuarit.
- Dëmtimi i lëkurës, flokëve dhe thonjve. Kequshqyerja ndikon në shëndetin e lëkurës, flokëve dhe thonjve. Lëkura bëhet e thatë dhe e rrudhosur, flokët dobësohen dhe bien lehtë, ndërsa thonjtë bëhen të brishtë. Mungesa e vitaminave dhe proteinave e bën trupin më të ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve.
- Vështirësi në shërimin e plagëve. Për shkak të mungesës së proteinave dhe vitaminave si C dhe K, trupi ka vështirësi në rigjenerimin e indeve dhe në shërimin e plagëve. Kjo ndikon negativisht tek pacientët që kalojnë procedura kirurgjikale ose dëmtime të ndryshme.
- Anemi dhe dobësi kronike. Mungesa e hekurit, vitaminës B12 dhe acidit folik shkakton anemi, një gjendje që çon në dobësi, lodhje të vazhdueshme dhe ulje të energjisë. Anemia ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe produktivitetin e individit.
Kequshqyerja ka një ndikim të thellë dhe të gjithanshëm në shëndetin fizik dhe mendor të individit, duke rritur ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve dhe duke përkeqësuar cilësinë e jetës.
Kequshqyerja dhe semundjet
Kequshqyerja është një faktor kryesor që kontribuon në zhvillimin dhe përkeqësimin e shumë sëmundjeve. Kjo, pasi trupi nuk merr lëndët ushqyese thelbësore për të funksionuar siç duhet. Ja disa nga sëmundjet kryesore që shkaktohen ose përkeqësohen nga kequshqyerja:
- Anemia. Anemia është një gjendje e zakonshme që shkaktohet nga mungesa e hekurit, vitaminës B12 dhe acidit folik në dietë. Kjo gjendje çon në lodhje të vazhdueshme, dobësi, marramendje dhe vështirësi në përqendrim.
- Osteoporoza. Mungesa e kalciumit, vitaminës D dhe fosforit ndikon në densitetin e kockave, duke i bërë ato të dobëta dhe të prirura ndaj frakturave.
- Sëmundjet kardiovaskulare. Një dietë e varfër me fibra dhe acide dhjamore omega-3, rrit rrezikun për sëmundjet e zemrës dhe hipertensionin. Kequshqyerja çon në rritje të kolesterolit, që rrit rrezikun për infarkt dhe goditje në tru.
- Diabeti i tipit 2. Ushqyerja e pasur me sheqerna të përpunuara dhe karbohidrate të thjeshta rrit nivelet e sheqerit në gjak. Ajo çon në rezistencë ndaj insulinës, një faktor që shkakton diabetin e tipit 2. Dieta e dobët dhe mungesa e ushtrimeve janë shkaqe kryesore të kësaj sëmundjeje.
- Imunitet i dobët dhe infeksione të shpeshta. Mungesa e vitaminave dhe mineraleve si vitamina C, vitamina D dhe zinku dobëson sistemin imunitar. Kjo e bën trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Një sistem imunitar i dobët çon gjithashtu në rikuperim të ngadalshëm nga sëmundjet.
- Hiperpigmentimi dhe sëmundjet e lëkurës. Kequshqyerja ndikon në lëkurë duke shkaktuar probleme si hiperpigmentimi, rrudhat e parakohshme dhe inflamacionet. Mungesa e vitaminave A, E dhe C, lë lëkurën të pambrojtur ndaj dëmtimeve nga rrezatimi UV dhe ndotja.
Kequshqyerja ka ndikim të thellë në zhvillimin dhe përkeqësimin e shumë sëmundjeve serioze. Duke pasur një dietë të pasur dhe të balancuar, mund të përmirësojmë shëndetin dhe të zvogëlojmë rrezikun e këtyre sëmundjeve.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
