Një numër i madh i njerëzve, madje më shumë se 60%, të cilët vuajnë nga diabeti, nuk e dinë këtë. Diabeti shpesh quhet vrasës i heshtur sepse simptomat e diabetit vështirë vërehen dhe shumë lehtë merren për diçka tjetër. Diabeti zakonisht diagnostikohet me anë të hulumtimeve dhe analizave që nuk lidhen me vetë diabetin.
Urinimi i shpeshtë dhe etja e tepruar.
Nëse urinoni shpesh, sidomos gjatë natës, ndoshta vuani nga diabeti. Veshkat përpiqen shumë ta largojnë glukozën e tepërt nga gjaku, gjë që shkakton nevojë për të urinuar. Etja e tepërt ndodh për shkak se trupi ka nevojë për t’i rikthyer lëngjet e humbura. Këto simptoma janë disa nga treguesit e diabetit.
Humbja e peshës.
Nivelet shumë të larta të sheqerit në gjak mund të shkaktojnë humbje drastike të peshës, 5 – 10 kg në një periudhë prej 2 – 3 muaj, por kjo nuk është humbje e shëndetshme e peshës. Insulina nuk mund ta shpërbëjë glukozën dhe trupi mendon se është i uritur dhe fillon t’i tretë proteinat si një zëvendësim për energjinë. Veshkat gjithashtu punojnë me një ritëm më të shpejtë për eliminimin e sheqerit të tepërt, gjë që çon në rritjen e konsumit të kalorive dhe rrit rrezikun e dëmtimit të veshkave.
Uria.
Uria e tepërt është një tjetër simptomë e diabetit që mund të ndodhë për shkak të ndryshimeve të papritura në nivelin e sheqerit në gjak. Kur niveli i sheqerit në gjak rritet, trupi mendon se është i uritur dhe kërkon burime të glukozës, e cila do t’i furnizojë qelizat dhe do ta mundësojë punën e tyre.
Problemet me lëkurën.
Të kruajturit e lëkurës mund të jetë rezultat i lëkurës së thatë apo qarkullimit të dobët, ndërsa të dy gjendjet janë shenja paralajmëruese të diabetit. Nëse keni probleme si lëkura e thatë, njolla të errëta apo keni ndjesi kruajtjeje vazhdimisht, konsultohuni me mjekun.
Shërim shumë i ngadaltë i plagëve.
Infeksionet, gërvishtjet dhe të mavijosurat që shërohen ngadalë janë gjithashtu një simptomë klasike e diabetit. Kjo ndodh për shkak se enët e gjakut janë të dëmtuara, për shkak të niveleve të tepërta të glukozës. Gjaku në këtë rast qarkullon më vështirë dhe vjen më ngadalë tek organet e caktuara.