Mbjellja e mjekrës
Mbjellja e mjekrës

Çfarë është mbjellja e mjekrës?

Mbjellja e mjekrës është një procedurë kirurgjikale që përfshin transplantimin e folikulave të flokëve nga një zonë e dhurimit, zakonisht pjesa e pasme e kokës, në zonën e mjekrës. Ky ndërhyrje është e ngjashme me mbjelljen e flokëve dhe përdoret për të ndihmuar ata që kanë mjekër të rralluar, asimetrike ose zona pa qime.

Çfarë duhet të dimë rreth mbjelljes së mjekrës?

  • Kryhet me anestezi lokale.
  • Analizat e kërkuara: EKG, gjak komplet dhe teste koagulimi.
  • Zgjat 5 – 8 orë, në varësi të madhësisë së zonës.
  • Largimi nga klinika menjëherë pas procedurës.

Për kë është e përshtatshme mbjellja e mjekrës?

Mbjellja e mjekrës është e përshtatshme për burrat që dëshirojnë të kenë një mjekër më të dendur dhe të formuar. Procedura është ideale për ata që kanë:

  • Një rritje të parregullt ose të rralluar të qimeve në mjekër.
  • Zbrazëti në mjekër për shkak të gjenetikës ose shkaqeve të tjera.
  • Cicatrice ose djegie që kanë ndikuar në rritjen e qimeve në zonën e mjekrës.

Si realizohet procedura?

Mbjellja e mjekrës në KEIT realizohet  me metodën MicroFUE. Kjo procedurë përfshin marrjen individuale të folikulave të flokëve nga zona e dhurimit, zakonisht pjesa e pasme e kokës, dhe transplantimin e tyre në zonën e mjekrës. Ja etapat kryesore të procedurës:

  • Konsultimi fillestar. Vlerësimi i gjendjes së pacientit dhe përcaktimi i dizajnit të mjekrës.
  • Ekstraktimi i folikulave. Marrja e folikulave nga zona e dhurimit.
  • Transplantimi në mjekër. Vendosja e folikulave të reja një nga një në zonën e mjekrës, duke ndjekur drejtimin natyral të rritjes së qimeve.

Avantazhet e metodës MicroFUE:

  • Shenja minimale. Pajisjet më të holla reduktojnë dëmtimin e indeve.
  • Rezultate natyrale. Transplantimi preciz siguron një pamje të natyrshme.
  • Rikuperim i shpejtë. Procedura më pak invazive siguron një periudhë rikuperimi më të shpejtë.

Çfarë duhet të presësh para dhe pas ndërhyrjes?

Para ndërhyrjes, është e rëndësishme që pacienti të ketë një konsultim të hollësishëm me kirurgun ose mjekun specialist për të përcaktuar pritshmëritë dhe për të planifikuar procedurën. Pacienti duhet të ndalojë marrjen e disa ilaçeve që ndikojnë në mpiksjen e gjakut dhe të shmangë alkoolin disa ditë para ndërhyrjes.

Pas procedurës, është normale të ketë pak ënjtje dhe skuqje në zonën e trajtuar. Pacienti duhet të ndjekë udhëzimet e dhëna për kujdesin post-operator, të shmangë ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell dhe të mos prekë zonën e trajtuar për të shmangur ndonjë infeksion. Rezultatet e plota mund të shihen pas disa muajsh, kur qimet transplantuara fillojnë të rriten në mënyrë të qëndrueshme.

Këshillat pas procedurës

  • Natën e trapiantit duhet të flihet me kujdes, për të mos prekur kokën në zonën ku janë vendosur rrënjët.
  • Të lahet zona e mjekrës pas 2 ditësh, me ujë në temperaturë ambienti e me shampoo neutrale, më pas lahet çdo ditë.
  • Për të zbutur koret e formuara, pas 10 ditësh mund të aplikohet vaj për lëkurën në darkë, në mëngjes lahet zona e mjekrës.
  • Pas 10 – 15 ditësh qimet e mbjella mund të bien, por rrënjët mbeten të paprekura.
  • Rritja e flokëve vazhdon me ecuri normale, që do të thotë se rezultati kërkon 3 – 4 muaj të vihet re.
  • Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.

Mbjellja e mjekrës: sa kohë zgjat rikuperimi?

Rikuperimi pas mbjelljes së mjekrës është relativisht i shpejtë. Shumica e pacientëve mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme brenda një jave. Ënjtja dhe skuqja fillestare zakonisht zhduken brenda disa ditësh. Qimet e mbjella  fillimisht mund të bien pas disa javësh, një proces i njohur si “shock loss”, por kjo është normale dhe rritja e re do të fillojë pas disa muajsh.

Mbjellja e mjekrës: rezultatet dhe efektet afatgjata

Rezultatet e mbjelljes së mjekrës janë të qëndrueshme dhe natyrale. Qimet e mbjella rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe mund të priten, të stilohen dhe të rruhen ashtu si qimet natyrale të mjekrës. Pacienti mund të presë një pamje të plotë dhe simetrike të mjekrës, e cila do të qëndrojë e tillë për gjithë jetën. Pavarësisht nga teknologjia e avancuar dhe suksesi i lartë i procedurës, është e rëndësishme që pacienti të ketë pritshmëri realiste dhe të konsultohet me një kirurg të kualifikuar për të diskutuar rezultatet e mundshme.

Rreziqet dhe komplikacionet e mundshme tek mbjellja e mjekrës

Edhe pse mbjellja e mjekrës është një procedurë e sigurt, si çdo ndërhyrje tjetër kirurgjikale, ajo mund të ketë disa rreziqe dhe komplikacione të mundshme, të cilat përfshijnë:

  • Infeksione. Mund të ndodhin në zonën e dhurimit ose të transplantimit, por ndjekja e kujdesit të duhur pas operacionit dhe përdorimi i antibiotikëve mund të minimizojnë këtë rrezik.
  • Ënjtje. Ënjtja në zonën e mjekrës dhe të dhurimit është normale, por në raste të rralla mund të zgjasë më shumë se disa ditë.
  • Gjakderdhje. Ndonjëherë mund të ketë gjakderdhje të lehtë gjatë ose pas procedurës, e cila zakonisht ndalet shpejt.
  • Densitet i pamjaftueshëm. Në disa raste, qimet e transplantuara mund të mos rriten me densitetin e pritur, duke kërkuar një ndërhyrje shtesë.