Rimodelimi i barkut përfshin korrigjimin e barkut duke hequr lëkurën dhe dhjamin e tepërt, rikonstruktimin e kërthizës dhe forcimin e muskujve të barkut. Edhe te meshkujt relaksimi i lëkurës në zonën e barkut është një situatë e përhapur. Sidomos kjo ndodh tek ata persona që kanë patur humbje të menjëhershme në peshë. Një bark i butë, i varur dhe i dhjamosur është shpesh rezultat i një humbje peshe të konsiderueshme brenda një kohe relativisht të shkurtër, i një mënyre jetese të gabuar, me pasivitet fizik dhe ushqim të tepërt.
Lëshimi i lëkurës është shkalla më e vogël e deformimit të barkut, të cilën mund ta vërejmë edhe tek të rinjtë. Lëkura e tepërt është e përqëndruar kryesisht në zonën poshtë kërthizës në të dy anët e barkut. Lëshimi i muskujve dhe i lëkurës është situata më ekstreme. Barku varet shumë dhe vërehet hapja e lëshimi i muskujve rectus që mbajnë pjesën qendrore të murit abdominal si dhe varje e lëkurës me dhjamë të tepërt. Shpesh, në të tilla raste dieta apo aktiviteti fizik nuk arrijnë të japin rezultate të kënaqshme pasi lëkura e tepërt varet akoma më shumë. Për ata që kanë humbur shumë në peshë, e vetmja zgjidhje për të hequr lëkurën e tepërt, është ajo e kirurgjisë estetike.
Çfarë është rimodelimi i barkut (Abdominoplastika)?
Abdominoplastika totale përfshin korrigjimin kirurgjikal të barkut, duke hequr lëkurën dhe dhjamin e tepërt, rikonstruktim të kërthizës si dhe plastikën dhe riforcimin e muskujve të barkut. Shpesh, për të rimodeluar të gjithë zonën e barkut, belit, vitheve apo dhe kofshëve, është i nevojshëm kombinimi i procedurave të abdominoplastikës dhe liposkulpturës.
Qëllimi i abdominoplastikës nuk është reduktimi i peshës trupore, megjithëse ky është edhe një prej rezultateve të operacionit, por rimodelimi i zonës së barkut dhe rikonstruktimi i muskujve abdominalë. Një efekt dytësor i ndërhyrjes kirurgjikale është edhe reduktimi apo në disa raste eliminimi i strijave të lëkurës, të cilat, kur është e mundur, hiqen me lëkurën e tepërt, duke e përmirësuar dukshëm aspektin e përgjithshëm.
Çfarë duhet të dimë rreth ndërhyrjes?
- Përpara ndërhyrjes kryhen egzaminimet pre-operatore (hemokromi dhe grupi i gjakut, testet e koagulimit të gjakut, testet biokimike, virale, analizat e urinës, vizita me kardiologun dhe EKG-ja e zemrës, vizita me anestezistin, etj.).
- KEIT aplikon anestezi gjenerale totalisht endovenoze. Ajo mban tensionin e gjakut të ulur, duke minimizuar gjakrrjedhjen e të nxirat, redukton në maksimum rrezikun për të vjella e marrje mendsh. Për këtë lloj operacioni është më e sigurt e më komode për pacientin. Ajo bën të mundur që edhe kirurgu të punojë në kushte optimale.
- Zgjat rreth 2 – 4 orë.
- Aplikohen drena të posaçëm për kullimin e gjakut.
- Qëndrohet 1 – 2 netë në klinikë.
- Dhembje të lehta-mesatare e mëse të durueshme.
- Periudhë e shpejtë rikuperimi, me përmirësim gradual të pamjes së barkut. Rezultati konsiderohet final, zakonisht 4 – 6 muaj pas ndërhyrjes.
- Të nxira dhe ënjtje në zonën e barkut që largohen gradualisht brenda 15 – 20 ditësh.
- Shenja të vogla përreth kërthizës, si dhe një shenjë horizontale në pjesën e poshtme të barkut, pak më e gjatë se ajo e prerjes cezariane. Zakonisht janë të holla e të zbehta.
Llojet e abdominoplastikës
- Abdominoplastika e plotë. Ky është opsioni më i zakonshëm dhe përfshin një prerje të gjatë nga njëra anë e legenit në tjetrën, si dhe rreth kërthizës. Kjo procedurë është më e përshtatshme për ata që kanë nevojë për ndryshime të mëdha në formën e barkut.
- Mini-abdominoplastika. Kjo lloj procedurë është më pak invazive. Zakonisht ajo përfshin një prerje më të vogël, duke u fokusuar kryesisht në zonën poshtë kërthizës. Mini-abdominoplastika është ideale për ata që kanë vetëm pak lëkurë të tepërt në pjesën e poshtme të barkut.
Përse të zgjidhni rimodelimin e barkut (abdominoplastikën)?
Rimodelimi i barkut ofron një sërë përfitimesh që shkojnë përtej aspektit estetik:
- Përmirëson pamjen e barkut. Abdominoplastika mund të ndihmojë në krijimin e një barku më të sheshtë dhe të tonifikuar, që shpesh nuk mund të arrihet vetëm me dietë dhe ushtrime.
- Forcon muskujt e barkut. Procedura ndihmon në forcimin dhe rikthimin e muskujve të dobësuar ose të ndarë të barkut, gjë që ndihmon në përmirësimin e posturës dhe mbështetjes së kurrizit.
- Përmirëson shëndetin. Në disa raste, abdominoplastika mund të ndihmojë në reduktimin e problemeve të lëkurës si irritimet ose infeksionet që mund të shkaktohen nga palosjet e lëkurës së tepërt.
Rreziqet dhe komplikacionet e mundshme tek rimodelimi i barkut
Si çdo procedurë kirurgjikale, abdominoplastika ka rreziqe dhe mundësi për komplikime, të cilat mund të përfshijnë:
- Infeksione
- Hemorragji
- Probleme me shërimin e plagës
- Ndryshime të ndjeshmërisë së lëkurës
- Tromboza
Këshillat pas operacionit:
- Përdorim i antibiotikëve zakonisht deri 5 ditë pas operacionit.
- Heqja e drenave 2 – 5 ditë pas ndërhyrjes.
- Mjekime çdo 3 – 4 ditë deri në mbylljen e plagëve.
- Heqja e penjve 10 – 15 ditë pas ndërhyrjes.
- Shmangia e lëvizjeve të sforcuara dhe ngritjeve të peshave për dy javë deri në 1 muaj pas ndërhyrjes.
- Nuk duhet ngarë makina 1 – 2 javët e para pas ndërhyrjes.
- Mbahet një korse elastike abdominale për 30 – 40 ditë.
- Rifillimi gradual i aktivitetit fizik 1 – 2 muaj pas ndërhyrjes, sipas këshillave të staffit të KEIT.
- Të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në Diell.
- Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
