Operacioni i hundës

Çfarë është rimodelimi i hundës, ose ndryshe rinoplastika?

Operacioni i hundës, i njohur edhe si rinoplastika, është një nga ndërhyrjet më të zakonshme në fushën e kirurgjisë estetike. Kjo procedurë ka për qëllim të përmirësojë pamjen e jashtme të hundës, duke e bërë atë më të harmonizuar me fytyrën. Gjithashtu të rregullojë problemet funksionale që mund të ndikojnë në frymëmarrje. Përveç ndryshimit të kockave dhe kërcit të hundës, rinoplastika mund të përfshijë edhe korrigjimin e devijimit të septumit nasal apo heqjen e mishit të huaj. Këto ndërhyrje shtesë ndihmojnë në përmirësimin e funksionit të hundës dhe rritjen e cilësisë së jetës së pacientit.

Sa zgjat rinoplastika?

Koha e nevojshme për një operacion të hundës varion, por zakonisht zgjat midis një dhe dy orë. Kohëzgjatja e procedurës varet nga kompleksiteti i ndryshimeve që duhen bërë dhe teknika specifike që përdoret nga kirurgu. Për shembull, një rinoplastikë më e thjeshtë mund të zgjasë më pak se një operacion kompleks që kërkon ristrukturim të plotë të hundës.

Efektet anësore dhe rreziqet e operacionit të hundës.

Edhe pse rinoplastika konsiderohet si një procedure kirurgjikale jo shumë e komplikuar, si çdo ndërhyrje tjetër edhe rinoplastika ka disa rreziqe dhe komplikacione potenciale. Këto përfshijnë:

  • Hematomat. Ato grumbullohen nga gjaku nën lëkurë ose më thellë, në përputhje me strukturat e brendshme të hundës. Zhduken brenda disa ditësh ose disa javësh.
  • Gjakderdhje (hemorragji). Është e mundur, edhe pse jo e zakonshme, që gjakderdhja të ndodhë gjatë dhe pas operacionit.
  • Infeksionet. Janë të rralla dhe përgjithësisht kontrollohen me antibiotikë.
  • Alergjitë. Në raste të rralla, janë raportuar alergji ndaj barnave të përdorura gjatë anestezisë, gjatë shtrimit në spital apo edhe atyre që përdoren pas daljes nga spitali.
  • Probleme me frymëmarrjen. Pas një rinoplastike, për disa muaj ka një ënjtje të mukozave, ndaj është normale të keni vështirësi në frymëmarrje.
  • Dhembje kronike. E mundur, por shumë e rrallë pas rinoplastikës.
  • Rezultat jo i kënaqshëm. Kjo mund të ndodhë për shkak të pritshmërive shumë të larta që keni në lidhje me rezultatin konkret, por edhe nga ndërlikimet e papritura që mund të ndodhin gjatë apo pas operacionit.
  • Parregullsi ose asimetri. Pas një ndërhyrjeje rinoplastike, është e mundur që të mbeten parregullsi të vogla, të tilla si rikthimi i devijimit, asimetria e nariçeve, rënia e majës së hundës, etj. Këto çështje mund të ndikohen nga faktorë që nuk lidhen drejtpërdrejt me operacionin, si memoria e septumit ose parregullsi të mëdha të hundës që ekzistonin edhe përpara operacionit. Faktorë të tillë mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të operacionit, pavarësisht se sa e suksesshme ka qenë ndërhyrja kirurgjikale.

Cili është efekti anësor më i zakonshëm tek rinoplastika?

Një nga efektet anësore të zakonshme pas ndërhyrjes është ënjtja dhe mavijosja rreth syve. Ënjtja mund të ndodhë si rezultat natyral i traumës kirurgjikale dhe zhvillimit të hematomave. Mavijosja rreth syve është e zakonshme për shkak të procesit të shkrirjes së gjakut dhe qarkullimit të ngadalshëm të tij. Kjo gjendje zakonisht kulmon brenda disa ditëve pas operacionit dhe gradualisht zbehet gjatë periudhës së rikuperimit, duke u larguar totalisht rreth 5 – 10 ditë pas operacionit.

 Këshilla pas operacionit të hundës.

Pas ndërhyrjes së hundës, është thelbësore të ndiqni disa këshilla për një rikuperim të shpejtë dhe të sigurt. Ja disa këshilla që duhet të keni parasysh:

  • Pushimi dhe qetësia. Pushoni dhe shmangni aktivitetet e rënda për disa javë pas operacionit për të lejuar shërimin e duhur.
  • Mbajtja e kokës lart. Mbani kokën lart gjatë gjumit, për të reduktuar ënjtjen. Përdorni jastëk udhëtimi shtesë për të ngritur kokën.
  • Kompresa të ftohta. Përdorni kompresat e ftohta për të zvogëluar ënjtjen dhe dhimbjen, por mos i vendosni direkt në hundë.
  • Aktiviteti fizik. Shmangni aktivitetet fizike të forta dhe sportet që mund të shkaktojnë goditje në hundë për të paktën 4 – 6 javë.
  • Kujdesi ndaj Diellit. Mbroni hundën nga rrezet e Diellit për të shmangur hiperpigmentimin dhe dëmtimin e lëkurës, duke përdorur krem me faktor mbrojtës të lartë (SPF).
  • Syzet. Shmangni përdorimin e syzeve për të paktën 4-6 javë pas rinoplastikës.Përdorimi i syzeve menjëherë pas operacionit mund të shkaktojë presion mbi hundën dhe të ndikojë negativisht në shërimin e saj.

Cila është mosha e përshtatshme për të kryer operacionin e hundës?

Tek operacioni i hundës, mosha e pacientit është një faktor kyç për të siguruar rezultate sa më të qëndrueshme dhe të përshtatshme estetikisht. Në këto kushte ështe e rëndësishme që ndërhyrja të kryhet pas përfundimit të rritjes dhe zhvillimit, pra duke filluar nga mosha 16 vjeç. Në këtë mënyrë, struktura e hundës është më e qëndrueshme për ndryshime kirurgjikale. Në KEIT Day Hospital, rinoplastika mund të kryhet për minorenët (16 – 18 vjeç), por kërkohet  shoqërimi nga prindërit gjatë gjithë procedurave në spital.

Përse KEIT?

Pavarësisht problematikave, rreziqeve dhe komplikacioneve të mundshme që mund të shoqërojnë rinoplastikën, KEIT mbetet gjithmonë i përkushtuar për t’u ofruar pacientëve të tij kujdesin dhe mbështetjen maksimale. Ekipi ynë i përkushtuar ofron asistencë maksimale që nga konsultimet fillestare deri në përfundimin e fazës së shërimit, duke siguruar që çdo pacient të marrë kujdesin më të mirë të mundshëm. Për më tepër, KEIT ofron një Certifikatë Garancie për çdo pacient, duke siguruar cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimeve tona.

Operacioni i hundes rezultat profil Operacioni i hundes rezultat perballe Operacioni i hundes rezultat profil 2 operacioni i hundes rezultat nga poshte

Për më shumë informacion, ju lutemi referojuni gjithashtu seksioneve të Rinoplastikës, fotove para-pas dhe FAQ (pyetjet të bëra më shpesh).