Zvogëlimi i gjoksit
Zvogëlimi i gjoksit

Zvogëlimi i gjoksit: çfarë është?

Gjoksi është një nga karakteristikat kryesore që lidhet me imazhin e feminilitetit. Me kalimin e kohës dhe veçanërisht gjatë periudhës së pubertetit, gjoksi pëson një zmadhim të shpejtë brenda një periudhe të shkurtër. Kjo gjendje, e njohur si hipertrofia e gjirit, mund të sjellë jo vetëm shqetësime estetike por edhe probleme funksionale. Për shembull, tërheqje të dhimbshme të lëkurës, kërrusje dhe deformime të shtyllës kurrizore, inflamacion dhe dhimbje të muskujve të shpinës, si dhe infeksione të lëkurës dhe ekzema.

Për të adresuar këto probleme, rekomandohet mastoplastika reduktuese, një ndërhyrje kirurgjikale që mund të këshillohet edhe para moshës 18 vjeçare për të ndihmuar në një rikuperim të shpejtë estetik, psikologjik dhe funksional. Kjo procedurë përfshin:

  • Heqjen e yndyrës dhe indeve. Duke reduktuar peshën që shkakton dhimbje dhe diskomfort.
  • Ripozicionimin e gjëndrës dhe thithkave. Për të siguruar një formë më të përshtatshme dhe të rehatshme të gjoksit.
  • Rimodelimin e pjesës së mbetur. Që konsiston në rregullimin e konturit dhe pamjes së gjirit pas heqjes së vëllimit të tepërt.

Operacioni normalisht nuk ndikon negativisht në aftësinë e ushqyerjes me gji. Megjithatë, në varësi të gjendjes së fillimit dhe teknikës së aplikuar, në disa raste mund të mos jetë e mundur të vazhdohet me ushqimin me qumësht gjiri. Rezultati i ndërhyrjes kirurgjikale është zakonisht i përhershëm dhe jep një lehtësim të dukshëm nga simptomat e lidhura me gjoksin e madh.

Pas shtatzënisë, shumë nëna zgjedhin të nënshtrohen procedurave si zvogëlimi i gjoksit për të adresuar këto ndryshime, dhe shpesh, për të përmirësuar edhe pjesë të tjera të trupit që kanë ndryshuar gjatë dhe pas shtatzënisë, ato mund të zgjedhin ti nënshtrohen edhe abdominoplastikës ose liposuksionit.

Zvogëlimi i gjoksit, është një zgjedhje e mençur për ato që përjetojnë probleme fizike dhe emocionale nga një gjoks i madh dhe dëshirojnë të përmirësojnë cilësinë e tyre të jetës.

Çfarë duhet të dimë rreth ndërhyrjes?

  • Përpara ndërhyrjes kryhen egzaminimet pre-operatore (hemokromi dhe grupi i gjakut, testet e koagulimit të gjakut, testet biokimike, virale, testi i shtatzënisë, analizat e urinës, vizita me kardiologun dhe EKG-ja e zemrës, echo e gjirit, vizita me anestezistin, etj.).
  • KEIT aplikon anestezi gjenerale totalisht endovenoze, e cila mban tensionin e gjakut të ulur, duke minimizuar gjakrrjedhjen e të nxirat, redukton në maksimum rrezikun për të vjella e marrje mendsh dhe për këtë lloj operacioni është më e sigurt e më komode për pacientin, si dhe bën të mundur që edhe kirurgu të punojë në kushte optimale.
  • Zgjat rreth 3 – 4 orë.
  • Aplikohen ose jo drena të posaçëm për kullimin e gjakut.
  • Një natë qëndrimi në klinikë.
  • Dhembje të lehta-mesatare e mëse të durueshme.
  • Të nxira dhe ënjtje në zonën e gjoksit që largohen gradualisht brenda 10 – 14 ditësh.
  • Shenja të vogla përreth areolës, një tjetër shenjë vertikale si dhe një shenjë horizontale në pjesën e poshtme të gjoksit të cilat zakonisht janë të holla e të zbehta.

Zvogëlimi i gjoksit: cili është kandidati perfekt?

Kandidatët idealë për zvogëlimin e gjoksit përfshijnë individë që përjetojnë një sërë shqetësimesh për shkak të madhësisë së gjoksit të tyre. Shumë prej tyre vuajnë nga dhimbje të qafës, shpinës dhe supave, të cilat shpesh janë pasojë e peshës së gjoksit. Probleme të tjera përfshijnë irritimin dhe infeksionet nën gjoks si rezultat i fërkimit të vazhdueshëm, vështirësi në gjetjen e veshjeve që iu përshtaten dhe limitime në pjesëmarrjen në aktivitete fizike. Përveç kësaj, është thelbësore që kandidatët të kenë një gjendje të mirë shëndetësore dhe të mos kenë probleme mjekësore që mund të pengojnë shërimin e tyre pas operacionit. Ata gjithashtu duhet të kenë pritshmëri realiste në lidhje me rezultatet që mund të arrihen përmes ndërhyrjes kirurgjikale për zvogëlimin e gjoksit.

Rreziqet dhe komplikacionet e mundshme

Zvogëlimi i gjoksit është një ndërhyrje kirurgjikale serioze dhe, siç ndodh me çdo procedurë të tillë, sjell disa rreziqe dhe mundësi për komplikacione:

  • Infeksionet. Kirurgjia mund të çojë në infeksione, të cilat mund të kërkojnë trajtim me antibiotikë ose ndërhyrje të mëtejshme kirurgjikale.
  • Problemet me shërimin e plagëve. Disa pacientë përjetojnë ngadalësim në shërimin e plagëve, që mund të çojë në formimin e shenjave të mëdha të cikatrizimit.
  • Humbja e ndjeshmërisë. Pacientët mund të përjetojnë një humbje të përkohshme ose të përhershme të ndjeshmërisë në zonën e gjoksit ose rreth thithkave.
  • Asimetria. Pavarësisht nga përpjekjet e kirurgut për simetri, ndonjëherë rezultatet mund të jenë asimetrike. Në disa raste, mund të kërkohet një ndërhyrje e mëtejshme për të korrigjuar këtë problem.
  • Ndryshime në formën e gjoksit. Me kalimin e kohës, gjoksi i operuar mund të ndryshojë formën për shkak të plakjes, ndryshimeve në peshë, ose hormonale.
  • Reaksione ndaj anestezisë. Si me çdo procedurë që përdor anestezi totale, ka një rrezik të vogël për reaksione negative ndaj ilaçeve anestezike.
  • Formimi i keloidëve. Disa njerëz kanë një prirje për të formuar keloidë, që shtrihen përtej zonës origjinale të qepjeve.
  • Hematoma dhe seroma. Pas ndërhyrjes, mund të formohen grumbuj gjaku (hematoma) ose lëngje (seroma) nën lëkurë, të cilat mund të kërkojnë drenazh ose ndërhyrje shtesë.
  • Nekroza e indit. Rrallë, pjesë të gjoksit ose lëkura mund të vdesin, një gjendje që kërkon trajtim të menjëhershëm dhe ndonjëherë ndërhyrje kirurgjikale për të pastruar indet e vdekur.
  • Ndryshime në aftësinë për të ushqyer me gji. Ndërhyrja mund të ndikojë në aftësinë e një gruaje për të ushqyer me gji në të ardhmen, për shkak të ndërhyrjeve në kanalizimet e qumështit dhe në thithka.

Zvogëlimi i gjoksit: këshillat pas operacionit

  • Përdorim i antibiotikëve zakonisht deri 5 ditë pas operacionit.
  • Heqja e drenave 24 – 48 orë pas ndërhyrjes (në ato raste kur vendosen).
  • Mjekime çdo 3 – 4 ditë deri në mbylljen e plagëve.
  • Heqja e penjve 10 – 15 ditë pas ndërhyrjes (në ato raste kur nuk janë të absorbueshëm).
  • Shmangia e lëvizjeve të sforcuara dhe ngritjeve të peshave për dy javë deri në 1 muaj pas ndërhyrjes.
  • Nuk duhet ngarë makina 1 – 2 javët e para pas ndërhyrjes.
  • Rifillimi gradual i aktivitetit fizik 1 – 2 muaj pas ndërhyrjes, sipas këshillave të staffit të KEIT.
  • Mbajtja e reçipetave sportive për 1 muaj.
  • Të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në Diell.
  • Rikontrollet me staffin e KEIT sipas protokolleve të klinikës.