Hiperidroza, gjendja e karakterizuar nga djersitja e tepërt, është një problem që prek miliona njerëz në mbarë botën. Edhe pse nuk është një sëmundje kërcënuese për jetën, ajo mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së individëve. Ajo mund të shkaktojë një sërë problemesh, veçanërisht në lidhje me shëndetin e lëkurës. Djersitja e tepërt krijon një mjedis të lagësht që është i favorshëm për zhvillimin e disa lloje të infeksioneve dhe sëmundjeve të lëkurës. Ne do të shqyrtojmë rreziqet shtesë që sjell hiperidroza për shëndetin e lëkurës dhe si mund të menaxhohen këto probleme.
Një nga rreziqet më të mëdha që sjell hiperidroza për lëkurën është prania e infeksioneve bakteriale dhe fungale. Djersa e tepërt, sidomos në zona si sqetullat, duart, këmbët dhe palosjet e lëkurës, krijon kushte të përshtatshme për shumimin e baktereve dhe kërpudhave. Infeksionet bakteriale më të zakonshme janë piodermat, ku përfshihet edhe impetigo, një infeksion sipërfaqësor që mund të shfaqet me flluska dhe plagë në lëkurë. Këto infeksione mund të shkaktojnë ndjesi të pakëndshme, skuqje dhe edemë, duke e bërë lëkurën të duket e irrituar dhe të ndjeshme.
Kërpudhat nga ana tjetër janë veçanërisht të zakonshme në zonat e lagështa dhe të nxehta, duke shkaktuar infeksione si atleti i këmbës (tinea pedis) dhe kandidiaza, një infeksion që shpesh shfaqet në zona të palosura dhe të lagështa si nën gjinj apo në zonën e ijëve. Personat që vuajnë nga hiperidroza janë më të predispozuar për këto infeksione për shkak të mjedisit të vazhdueshëm të lagështisë që krijohet në lëkurë. Lagështia pengon ajrosjen natyrale të lëkurës, duke krijuar kushte të përshtatshme për shumimin e mikroorganizmave. Për të shmangur këto probleme, është thelbësore që individët me hiperhidrozë të mbajnë lëkurën e tyre të pastër dhe të thatë, duke përdorur peshqirë dhe veshje që thithin djersën. Gjithashtu ata duhet të përdorin produkte antimikrobike të cilat ndihmojnë në parandalimin e shumimit të mikroorganizmave.
Një tjetër problem i zakonshëm i lidhur me hiperidrozën është dermatiti i kontaktit. Ai ndodh kur lëkura bie në kontakt me irritues të ndryshëm ose substanca alergjike. Djersitja e tepërt mund të përkeqësojë këtë problem, pasi djersa mund të përhapë irritues ose alergjenë në zonat e ndjeshme të lëkurës. Substancat e pranishme në produkte të ndryshme kozmetike mund të shkaktojnë reaksione alergjike. Ajo shkakton gjithashtu irritim te njerëzit që kanë hiperhidrozë, duke shkaktuar skuqje, kruajtje dhe inflamacion të lëkurës. Këta persona duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm në zgjedhjen e produkteve të kujdesit të lëkurës. Ata duhet të preferojnë ato që janë hipoalergjike dhe pa përbërës irritues. Gjithashtu, duhet të shmangin veshjet sintetike që pengojnë ajrosjen e lëkurës dhe përkeqësojnë problemin e irritimeve të shkaktuara nga djersitja e tepërt.
Një tjetër problem i zakonshëm për njerëzit që vuajnë nga hiperidroza është miliaria, ose e njohur ndryshe si “heat rash”. Kjo gjendje shfaqet kur kanalet e djersës bllokohen dhe djersa nuk arrin të dalë nga lëkura. Kjo gjendje shkakton formimin e flluskave të vogla dhe të skuqura që shkaktojnë kruarje të madhe. Kjo është veçanërisht e zakonshme në klimë të nxehtë dhe të lagësht. Gjithashtu, gjatë aktiviteteve fizike, ku lëkura nuk arrin të ajroset dhe djersa akumulohet në shtresat e lëkurës. Personat që përjetojnë këtë gjendje duhet të jenë të kujdesshëm në mbajtjen e lëkurës së ajrosur dhe të thatë. Kujdes veçanërisht duhet gjatë stinëve të nxehta ose pas aktiviteteve që shkaktojnë djersitje të tepërt. Veshjet e lehta dhe të lirshme, që ndihmojnë në ajrosjen e lëkurës, mund të jenë një zgjidhje efektive për të minimizuar rrezikun e miliarisë.
Edhe pse ekzema dhe psoriasis nuk shkaktohen drejtpërdrejt nga hiperidroza, djersitja e tepërt mund të përkeqësojë simptomat e këtyre sëmundjeve kronike të lëkurës. Ekzema shkakton thatësi, kruarje dhe inflamacion të lëkurës. Kur kjo lëkurë ekspozohet ndaj lagështisë së tepërt nga djersa, simptomat mund të përkeqësohen. Lagështia dhe fërkimi mund të shkaktojnë plasaritje dhe infeksione të lëkurës tek njerëzit që vuajnë nga ekzema. Në rastin e psoriasis, ku qelizat e lëkurës rigjenerohen më shpejt se normalisht, hiperidroza mund të shtojë irritimin dhe inflamacionin e shkaktuar nga kjo gjendje. Njerëzit që vuajnë nga psoriasis mund të ndjejnë përkeqësim të simptomave në zonat ku djersa akumulohet. Kjo çon në acarim dhe formimin e pllakave më të mëdha.
Menaxhimi i hiperidrozës është thelbësor për të minimizuar rreziqet e lëkurës. Këtu janë disa mënyra për të parandaluar dhe trajtuar problemet e mundshme: