Operacionet plastike: çfarë janë dhe pse preferohen?

Operacionet plastike: çfarë janë dhe pse preferohen?

Përmbajtja

Çfarë janë operacionet plastike?

Operacionet plastike janë ndërhyrje kirurgjikale ose jo kirurgjikale që modifikojnë, përmirësojnë ose rikonstruktojnë pjesë të trupit për arsye estetike ose mjekësore. Këto procedura ndahen në dy kategori kryesore; Operacionet plastike estetike, të cilat përfshijnë ndërhyrje që përmirësojnë pamjen e jashtme, duke rritur harmoninë e trupit ose duke zvogëluar shenjat e plakjes. Operacionet plastike rikonstruktive, që përdoren për të rikthyer funksionalitetin ose pamjen e trupit pas një aksidenti, sëmundjeje ose për të korrigjuar defekte të lindura.

 

Pse njerëzit vendosin të kryejnë operacione plastike?

Ka disa arsye se përse njerëzit vendosin që të kryejnë operacione plastike. Ndër më kryesoret mund të rendisim:

  • Përmirësimi i vetëbesimit dhe pamjes: Shumë njerëz vendosin të kryejnë ndërhyrje estetike për të përmirësuar pamjen e tyre. Gjithashtu dhe për të ndihmuar në rritjen e vetëbesimit. Këto ndërhyrje mund të përfshijnë ndryshime të vogla si rinoplastika (ndryshimi i formës së hundës) ose procedura më të mëdha si liposuksioni dhe abdominoplastika.
  • Rikthimi i pamjes pas aksidenteve: Ndërhyrjet plastike përdoren gjithashtu për të rindërtuar pjesët e trupit të dëmtuara nga aksidentet, si djegiet apo lëndimet. Kjo ndihmon pacientët të rikuperojnë funksionin dhe pamjen natyrale.
  • Anomalitë e lindjes: Disa njerëz kanë lindur me anomali që ndikojnë në pamjen dhe funksionin e tyre trupor, si buza e lepurit ose deformime të tjera. Kirurgjia plastike mund të ndihmojë në korrigjimin e këtyre problemeve.
  • Ndryshimet e plakjes: Shumë persona zgjedhin ndërhyrjet plastike për të zvogëluar shenjat e plakjes, si rrudhat apo humbjen e elasticitetit të lëkurës. Lifting i fytyrës dhe filler-ët janë ndër ndërhyrjet më të zakonshme për këtë qëllim.

Operacionet plastike më të kërkuara në Shqipëri

Në Shqipëri, ndërhyrjet estetike janë bërë gjithnjë e më popullore me kalimin e viteve. Operacionet më të kërkuara përfshijnë:

  • Rinoplastika: Një nga operacionet më të zakonshme në vend, duke ndihmuar në përmirësimin e formës ose funksionit të hundës.
  • Zmadhimi i gjoksit: Gratë shpesh kërkojnë zmadhimin ose ngritjen e gjoksit për të përmirësuar proporcionet trupore.
  • Liposuksioni: Heqja e yndyrës së tepërt nga zona të ndryshme të trupit është gjithashtu shumë e kërkuar.
  • Blefaroplastika: Ndërhyrje për të përmirësuar pamjen e qepallave të sipërme ose të poshtme.

 

Operacionet plastike më të kërkuara në botë

Sipas shoqatave ndërkombëtare të kirurgjisë plastike, këto janë disa nga ndërhyrjet më të zakonshme në botë:

    • Zmadhimi i gjoksit: Është një nga operacionet më të kryera globalisht për gratë që kërkojnë të rritin përmasat ose formën e gjoksit.
    • Liposuksioni: Ky operacion është shumë popullor për heqjen e yndyrës së tepërt në zonat e barkut, kofshëve, dhe krahëve.
    • Rinoplastika: Korrigjimi i formës së hundës është një tjetër ndërhyrje e përhapur. Ajo kërkohet si për arsye estetike, ashtu edhe për përmirësimin e frymëmarrjes.
    • Blefaroplastika: Heqja e lëkurës së tepërt nga qepallat për të përmirësuar pamjen e syve është gjithashtu një nga procedurat më të kryera.
    • Lifting i fytyrës: Ky operacion kryhet për të reduktuar rrudhat dhe për të rikthyer një pamje më të freskët dhe të re të fytyrës.

Efektet pozitive të operacioneve plastike

Një nga efektet kryesore pozitive të operacioneve plastike, natyrisht që është përmirësimi i vetëvlerësimit. Kjo është edhe arsyeja bazë se përse shumë persona zgjedhin të bëjnë operacione të tilla. Pas ndërhyrjeve të suksesshme, shumë pacientë raportojnë një përmirësim të ndjeshëm në vetëvlerësimin e tyre dhe një rritje të kënaqësisë me pamjen e tyre. Ndër efektet e tjera pozitive të operacioneve plastike janë:

  • Rezultate të qëndrueshme dhe afatgjata: Operacionet plastike, si zmadhimi i gjoksit ose rinoplastika, ofrojnë rezultate që zgjasin shumë vite ose përgjithmonë. Ato japin një përmirësim të qëndrueshëm të pamjes.
  • Përmirësimi i funksionalitetit: Për pacientët që kanë nevojë për korrigjime funksionale, ndërhyrjet plastike përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.
  • Rikthimi i funksioneve trupore: Në raste të rikonstruksionit pas aksidenteve, ndërhyrjet plastike mund të ndihmojnë në rifitimin e funksioneve trupore. Këtu mund të përfshihen lëvizjet e nofullës ose riparimi i lëkurës së djegur.

 

Efektet negative dhe rreziqet

Operacionet plastike, ashtu edhe çdo operacion tjetër, natyrisht që mbart edhe një rrezik apo dhe efekte negative. Në mënyrë që rreziku të jetë sa më i vogël, duhen zgjedhur klinikat dhe mjekët e duhur e me eksperiencë. Ndër efektet kryesore negative të operacioneve plastike do të përmendim:

  • Komplikacionet kirurgjikale: Ashtu si çdo operacion, ndërhyrjet plastike përfshijnë rrezikun e infeksioneve, hemorragjisë dhe reaksioneve ndaj anestezisë. Këto mund të jenë të vogla, por në raste të rralla mund të jenë serioze.
  • Rezultate të pakënaqshme: Në disa raste, pacientët nuk janë të kënaqur me rezultatin e operacionit. Kjo mund të kërkojë ndërhyrje korrigjuese ose të shkaktojë probleme psikologjike si pasiguri e shtuar për pamjen.
  • Rreziku i mbivlerësimit të rezultateve: Disa pacientë mund të kenë pritshmëri të nerealizuara për rezultatin e ndërhyrjes. Kjo çon në zhgënjim dhe nevojë për trajtime të mëtejshme.
  • Ndërlikimet afatgjata: Disa ndërhyrje, si implantet e gjoksit, mund të shkaktojnë komplikacione me kalimin e kohës, duke kërkuar operacione shtesë për të korrigjuar problemin.

Mite dhe fakte mbi operacionet plastike

Operacionet plastike janë shpesh të rrethuara nga mite dhe keqkuptime, të cilat mund të ndikojnë në vendimet e njerëzve. Ja disa nga mitet dhe faktet më të zakonshme rreth operacioneve plastike:

  • Miti: Operacionet plastike janë vetëm për arsye estetike
  • Fakt: Ndërsa operacionet plastike estetike janë të zakonshme, një pjesë e madhe e kirurgjisë plastike përfshin kirurgjinë rikonstruktive. Kjo përdoret për të trajtuar deformime të lindura, si buza e lepurit, ose për të ndihmuar në shërimin e pacientëve pas aksidenteve, djegieve ose operacioneve për trajtime të sëmundjeve si kanceri.
  • Miti: Rezultatet e operacioneve plastike janë të përhershme.
  • Fakt: Megjithëse shumë ndërhyrje estetike dhe plastike ofrojnë rezultate të qëndrueshme, nuk janë gjithmonë të përhershme. Plakja natyrale, ndryshimet e stilit të jetesës, si shtimi i peshës ose humbja e elasticitetit të lëkurës, mund të ndikojnë në rezultatet me kalimin e kohës. Për shembull, një lifting fytyre mund të zgjasë disa vjet, por procesi i plakjes do të vazhdojë.
  • Miti: Kirurgjia plastike është vetëm për gratë.
  • Fakt: Edhe pse gratë përbëjnë një pjesë të madhe të pacientëve, gjithnjë e më shumë burra po kërkojnë ndërhyrje estetike. Procedura të tilla si rinoplastika, liposuksioni, dhe kirurgjia për zvogëlimin e gjinjve te burrat (gjinekomastia) janë ndër më të kërkuarat nga burrat.
  • Miti: Pas operacionit plastik, gjithçka duket artificiale.
  • Fakt: Në të kaluarën, disa rezultate të operacioneve plastike mund të dukeshin të dukshme ose të “shtirura”. Sot, teknikat e përmirësuara dhe materialet më natyrale e bëjnë të mundur arritjen e rezultateve që duken shumë më të natyrshme.

 

Dr. Skerdi Faria
Autori i artikullit

Dr. Skerdi Faria

Misioni:

“T’u ofrojmë pacientëve një qasje të bazuar në ekselencë, siguri dhe risi në fushën e kirurgjisë estetike, me protokolle të nivelit të lartë dhe rezultate natyrale e harmonike.”

Formimi dhe Specializimet:

• Diplomë në Mjekësi dhe Kirurgji (1995)
• Specializim në Shëndet Publik (2002, me lavdërime, Universiteti La Sapienza, Romë)
• Specializim në Anestezi dhe Reanimacion (2009, me lavdërime, Universiteti Tor Vergata, Romë)
• Doktoraturë në Infeksione Spitalore (2005, me lavdërime, Universiteti La Sapienza, Romë)

Karriera dhe Vlerësime:

• Themelues dhe Drejtor i KEIT Day Hospital (që nga viti 2011)
• Autor i shumë studimeve shkencore të botuara në PubMed dhe Google Scholar
• Ekspert në kirurgji estetike, infeksione spitalore dhe protokolle të avancuara të anestezisë
• Medalje e artë (1989, Ministria e Arsimit Publik – Shqipëri), Energie për Romën (2025, Qendra Evropiane e Studimeve Kulturore – Romë) dhe të tjera.

Media dhe Vlerësime Publike:

Dr. Skerdi Faria është njohur si një ndër mjekët më me ndikim në fushën e kirurgjisë estetike dhe është intervistuar e cituar nga mediat kryesore në Shqipëri dhe Itali, përfshirë:
• Itali: Rai 1, Rai 2, Rai 3, Mediaset, La7, Corriere della Sera, Il Sole 24 Ore, Il Messaggero, La Gazzetta del Mezzogiorno, Il Tempo, Adnkronos.
• Shqipëri: Top Channel, Klan TV, Vizion Plus, Shqiptarja.com, Panorama, Gazeta Express.

Për më shumë informacione klikoni këtu