Lëkura dhe trajtimet estetike

Çfarë janë trajtimet estetike?

Trajtimet estetike janë procedura jo kirurgjikale që synojnë përmirësimin e pamjes së lëkurës dhe trupit. Këto trajtime janë krijuar për lëkura me probleme të ndryshme si rrudhat, shenjat e akneve, hiperpigmentimi. Këto trajtime mund të jenë ideale për ata që kërkojnë rezultate të shpejta dhe efektive pa nevojën e  ndërhyrjeve kirurgjikale.

Fillerët dhe botoksi

Fillerët janë substanca që injektohen në lëkurë për të reduktuar rrudhat. Materialet më të përdorura për fillerë janë acidi hialuronik dhe kolagjeni, të cilët ndihmojnë në restaurimin e volumit dhe hidratimin e lëkurës. Ky trajtim është i përshtatshëm për ata që dëshirojnë të korrigjojnë linjat e thella rreth mollëzave dhe buzëve. Rezultati i fillerit zakonisht zgjat nga 6 deri në 18 muaj. Për shembull, fillerët me bazë acidi hialuronik, që janë më të zakonshmit, kanë një qëndrueshmëri prej rreth 6 deri në 12 muaj. Fillerët me bazë kolagjeni dhe substanca të tjera mund të zgjasin më shumë ose më pak, në varësi të formulimit dhe metabolizmit të trupit të individit. Pas kësaj periudhe, trajtimi mund të përsëritet për të ruajtur rezultatet e dëshiruara.

Botoksi është një trajtim shumë i njohur që përdor toksinën botulinum për të paralizuar përkohësisht muskujt që shkaktojnë rrudhat. Ky trajtim është veçanërisht efektiv për rrudhat e shprehjes, si ato rreth syve dhe ballit. Injektimi i botoksit mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre linjave, duke i dhënë fytyrës një pamje më të qetë dhe të relaksuar. Rezultatet e botoksit janë të dukshme brenda pak ditësh dhe zgjasin disa muaj.

 Trajtime estetike filler dhe botoks

PRP për fytyrën (lëkurën) dhe flokët

PRP (Platelet-Rich Plasma) është një trajtim që përdor plazmën e pasur me trombocite të marra nga gjaku i vetë pacientit për të stimuluar rigjenerimin e qelizave. Për fytyrën, PRP ndihmon në përmirësimin e teksturës së lëkurës, reduktimin e rrudhave dhe shenjave të akneve. Për flokët, PRP mund të ndihmojë në stimulimin e rritjes së flokëve dhe parandalimin e rënies së tyre. Ky trajtim është veçanërisht efektiv në situatat e mëposhtme.

  • Alopecia androgjenike. PRP është i dobishëm për trajtimin e alopecisë androgjenike, një formë e zakonshme e rënies së flokëve.
  • Rënia e flokëve pas shtatzënisë. Shumë gra përjetojnë rënie të përkohshme të flokëve pas shtatzënisë, dhe PRP mund të ndihmojë në rikthimin e rritjes.
  • Pas procedurave të transplantit të flokëve. PRP mund të përdoret pas transplantit të flokëve për të stimuluar rritjen e folikulave të reja të flokëve.
  • Rënia e përgjithshëme e flokëve. Edhe në mungesë të një diagnoze specifike të rënies së flokëve, PRP mund të ndihmojë në përmirësimin e trashësisë dhe cilësisë së përgjithshme të flokëve.

 Prp per floket

White Peeling

White peeling është një trajtim kimik që përdor acide për të eksfoluar lëkurën dhe për të përmirësuar tonin e saj. Ky trajtim është më efektiv dhe më i sigurt kur aplikohet gjatë periudhave të vitit kur ekspozimi ndaj diellit është minimal. Kjo është për shkak se lëkura pas peelingut është më e ndjeshme ndaj rrezeve UV. Vjeshta dhe dimri janë periudhat më të përshtatshme të vitit për të aplikuar white peeling. Gjatë këtyre stinëve, ekspozimi ndaj diellit është më i ulët dhe rrezet UV janë më pak intensive.

Përkujdesja pas trajtimit

Pas kryerjes së white peelingut, është thelbësore të ndiqen disa hapa të përkujdesjes për të siguruar që lëkura të shërohet siç duhet dhe të shmangen komplikimet:

  • Përdorimi i kremit mbrojtës. Aplikoni krem mbrojtës me SPF të lartë çdo ditë, edhe gjatë ditëve me re ose kur qëndroni brenda. Kjo ndihmon në mbrojtjen e lëkurës nga rrezet UV të dëmshme.
  • Shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj Diellit. Qëndroni larg ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj diellit për disa javë pas trajtimit. Nëse duhet të dilni jashtë, përdorni kapele dhe syze dielli për mbrojtje shtesë.
  • Hidratimi i lëkurës. Përdorni kremra hidratues për të mbajtur lëkurën të butë dhe të hidratuar pas trajtimit. Lëkura mund të jetë e thatë dhe e ndjeshme pas peelingut, prandaj hidratimi është kyç.
  • Shmangia e produkteve irrituese. Evitoni përdorimin e produkteve kozmetike që përmbajnë alkool, retinol ose acide të tjera të forta deri sa lëkura të jetë plotësisht e shëruar.

Duke kryer white peeling gjatë vjeshtës, dimrit ose fillimit të pranverës dhe duke ndjekur këshillat e përkujdesjes pas trajtimit, mund të arrihen rezultate të shkëlqyera me rrezik minimal për komplikime.

 White peeling

Mikodermoabrazioni dhe përfitimet në lëkurën akneike

Mikrodermoabrazioni është një trajtim estetik që përdor kristale të imëta ose një kokë diamanti për të eksfoluar shtresën e sipërme të lëkurës. Kjo procedurë është projektuar për të hequr qelizat e vdekura të lëkurës dhe për të nxitur rigjenerimin e qelizave të reja. Kristalet e imëta ose koka e diamantit masazhojnë dhe fërkojnë lëkurën, duke larguar butësisht qelizat e vdekura dhe papastërtitë që mund të bllokojnë poret.

Përfitimet e Mikrodermoabrazionit

  • Përmirësimi i strukturës dhe tonit të lëkurës. Heqja e qelizave të vdekura zbulon një shtresë të re të lëkurës që është më e lëmuar dhe më e ndritshme. Kjo procedurë gjithashtu stimulon prodhimin e kolagjenit dhe elastinës, dy proteina thelbësore për një lëkurë të shëndetshme dhe elastike.
  • Reduktimi i shenjave të akneve. Mikrodermoabrazioni është shumë efektiv në reduktimin e shenjave të akneve. Duke hequr shtresën e sipërme të lëkurës, ky trajtim mund të ndihmojë në zbutjen e shenjave të mbetura nga aknet dhe të përmirësojë pamjen e përgjithshme të lëkurës. Për ata që vuajnë nga shenjat e akneve, një seri seancash të mikrodermoabrazionit mund të bëjë një ndryshim të konsiderueshëm.
  • Reduktimi i poreve të zmadhuara. Duke pastruar poret dhe duke hequr papastërtitë dhe yndyrat e tepërta, ky trjatim jep një pamje më të lëmuar dhe më të njëtrajtshme të lëkurës.
  • Procedurë e shpejtë dhe jo-invazive. Një nga avantazhet më të mëdha të mikrodermoabrazionit është se është një trajtim i shpejtë dhe jo-invaziv. Seancat zakonisht zgjasin rreth 30-60 minuta, varësisht nga zona që trajtohet. Pas procedurës, pacientët mund të kthehen menjëherë në aktivitetet e tyre të përditshme, pasi nuk ka kohë rikuperimi të nevojshme.
  • Përmirësimi i përthithjes së produkteve kozmetike. Përveç përfitimeve të drejtpërdrejta për lëkurën, mikrodermoabrazioni ndihmon gjithashtu në përmirësimin e përthithjes së produkteve kozmetike. Kjo mund të rrisë efikasitetin e serumeve, kremrave dhe produkteve të tjera të trajtimit që përdoren pas procedurës.

 Mikrodermoabrazion

Dermapeni dhe lëkura e hiperpigmentuar

Dermapen është një pajisje e vogël që përdor mikro-gjilpëra për të krijuar kanale të vogla në lëkurë. Ai stimulon procesin natyror të shërimit dhe prodhimin e kolagjenit. Ky trajtim është shumë efektiv për trajtimin e rrudhave, strijave dhe hiperpigmentimit. Përveç përmirësimit të pamjes së lëkurës, dermapen ndihmon edhe në përthithjen më të mirë të produkteve kozmetike, duke rritur efektivitetin e tyre.

Kushtet ku Dermapen nuk duhet të kryhet

  • Infeksione të lëkurës. Nëse keni një infeksion aktiv në lëkurë, herpes, impetigo, ose infeksione bakteriale, nuk është e sigurt të kryeni Dermapen.
  • Akne të rënda dhe inflamacion. Dermapen nuk rekomandohet për personat me akne të rënda dhe inflamatorë, pasi mikro-gjilpërat mund të përhapin bakteret dhe të përkeqësojnë gjendjen. Trajtimi duhet të kryhet vetëm pasi aknet të jenë kontrolluar dhe inflamacioni të jetë reduktuar.
  • Lëkurë e irrituar ose e djegur nga Dielli. Nëse lëkura juaj është e irrituar ose e djegur nga dielli, duhet të shmangni Dermapen deri sa lëkura të jetë shëruar plotësisht. Ky trajtim mund të përkeqësojë irritimin dhe të dëmtojë më tej lëkurën.
  • Sëmundje autoimune. Personat me sëmundje autoimune, si lupus, psoriazë ose sëmundje të tjera që ndikojnë në shërimin e lëkurës, duhet të konsultohen me një mjek përpara se të kryejnë Dermapen, pasi këto gjendje mund të ndikojnë në aftësinë e lëkurës për të shëruar.
  • Shtatzënia dhe ushqyerja me gji. Edhe pse Dermapen konsiderohet i sigurt për shumicën e njerëzve, gratë shtatzëna ose ato që ushqejnë me gji duhet të shmangin këtë trajtim për të parandaluar çdo rrezik potencial për foshnjen.
  • Marrja e medikamentit për trombocitet (Antikoagulantë). Nëse jeni duke marrë medikamente për të holluar gjakun (antikoagulantë), Dermapen mund të rrisë rrezikun e gjakderdhjes dhe mavijosjeve. Konsultohuni me mjekun tuaj për të vlerësuar sigurinë e trajtimit.
  • Lëkura shumë e ndjeshme. Personat me lëkurë shumë të ndjeshme ose me kushte të tilla si rosacea duhet të jenë të kujdesshëm, pasi Dermapen mund të shkaktojë irritim dhe përkeqësim të simptomave.

 Dermapeni

×