Kombinimi i liposucionit me lipofilling është një procedurë moderne. Ajo bashkon dy teknika estetike për të formësuar trupin në mënyrë më natyrale dhe harmonike. Liposucioni largon dhjamin e tepërt nga zona të caktuara të trupit. Ndërkohë lipofillingu e përdor atë për të rritur volumet në zona të tjera që kanë nevojë për më shumë kontur. Kjo qasje ndihmon pacientët të arrijnë një siluetë të balancuar, duke përdorur dhjamin e vetë trupit për të përmirësuar pamjen e përgjithshme.
Liposucioni me lipofilling: ku konsiston kjo ndërhyrje?
Liposucioni është një teknikë që përdoret për të hequr yndyrën (dhjamin) e tepërt nga zona të ndryshme të trupit si barku, kofshët, krahët dhe shpina. Ky proces ndihmon në krijimin e një linje më të qartë dhe të tonifikuar të trupit duke përmirësuar siluetën e përgjithshme. Lipofilling, nga ana tjetër, përdor dhjamin që merret nga liposucioni. Kjo bëhet për të plotësuar dhe rritur volumet në zona ku nevojitet më shumë, si vithet, mollëzat, buzët. Madje përdoret për të mbushur edhe rrudhat e thella në fytyrë. Përparësia kryesore e kësaj teknike është përdorimi i yndyrës së vetë pacientit. Ajo pranohet më mirë nga trupi dhe redukton rrezikun e reaksioneve alergjike në krahasim me materialet e huaja si implantet sintetike. Ky kombinim është i ngjashëm paksa edhe me liposkulpturën
Si kryhet kjo procedurë?
Procesi i liposucionit të kombinuar me lipofilling kryhet nga kirurgë të kualifikuar dhe përfshin disa faza për rezultate optimale:
- Konsultimi dhe planifikimi: Procedura fillon me një konsultim të hollësishëm midis pacientit dhe kirurgut. Aty përcaktohen zonat e trupit që do të trajtohen me liposucion dhe ato që do të përfitojnë nga lipofillingu. Kirurgu vlerëson trupin dhe përcakton sasinë e dhjamit që do të hiqet. Gjithashtu përcaktohet dhe sasia që do të përdoret për të siguruar një rezultat natyral dhe të personalizuar.
- Anestezia dhe përgatitja e lëkurës: Në varësi të madhësisë së zonave që do të trajtohen, procedura mund të kryhet nën anestezi lokale ose të përgjithshme. Anestezia ndihmon në minimizimin e dhimbjes dhe siguron një proces më komod për pacientin.
- Heqja e dhjamit përmes liposucionit: Liposucioni tradicional apo liposucioni me ultratinguj ose lazer, përdoren për të shkëputur dhe hequr dhjamin me më pak traumë. Këto teknika të avancuara ndihmojnë në uljen e dëmtimeve dhe përshpejtimin e rikuperimit.
- Përgatitja e dhjamit për transferim: Pas heqjes së dhjamit, ai kalon në një proces filtrimi dhe pastrimi. Kjo, për të hequr papastërtitë dhe lëngjet e tepërta, duke lënë vetëm qelizat e dhjamit të cilësisë së lartë për injeksion.
- Injektimi i dhjamit: Dhjami i përgatitur injektohet me kujdes në zonat ku nevojitet volum më i madh. Ky hap kryhet duke përdorur një kanulë të vogël që e lejon kirurgun të shpërndajë yndyrën (dhjamin) në mënyrë të barabartë për të krijuar një pamje natyrale dhe të balancuar.
Liposucioni me lipofilling: anët pozitive të kombinimit
Ja disa nga anët pozitive të kombinimit të liposucionit me lipofilling për formësimin e trupit:
- Rezultate natyrale: Përdorimi i dhjamit të vet pacientit ofron një pamje më natyrale dhe të butë. Ai redukton ndjesinë e trupave të huaj që mund të shkaktojnë implantet. Dhjami i transferuar duket dhe ndihet më natyrshëm në krahasim me materialet sintetike.
- Formësim i personalizuar i trupit: Liposucioni ndihmon në heqjen e dhjamit të tepërt nga zona të caktuara. Ndërkohë lipofillingu krijon konture më të plota në zona ku kërkohet më shumë volum, si vithet ose fytyra. Ky kombinim lejon një qasje të personalizuar, duke i dhënë pacientit një trup të balancuar.
- Rikuperim më i shpejtë: Duke qenë se procedura është më pak invazive dhe përdor dhjamin e vet pacientit, koha e rikuperimit është më e shpejtë krahasuar me teknikat tradicionale që përdorin implante. Kjo i lejon pacientët të kthehen më shpejt në aktivitetet e përditshme.
- Shmangia e reaksioneve alergjike: Pasi dhjami është marrë nga vetë trupi i pacientit, rreziku i reaksioneve alergjike është shumë i ulët. Kjo e bënë këtë procedurë më të sigurt dhe më të pranueshme për shumë individë.
Liposucioni me lipofilling: anët negative
Kombinimi i dy procedurave, liposucion me lipofilling, natyrisht që mund të ketë edhe rreziqe dhe anë negative. Disa prej tyre janë:
- Rreziku i resorbimit të dhjamit: Një pjesë e dhjamit të transferuar mund të resorbohet nga trupi gjatë muajve të parë pas operacionit. Kjo rezulton në humbjen e një pjese të volumit të injektuar. Diçka e tillë mund të kërkojë seanca shtesë për të arritur rezultatet e dëshiruara.
- Periudha e rikuperimit dhe ndjeshmëria e lartë: Edhe pse procedura është më pak invazive, zonat e trajtuara mund të jenë të ënjtura dhe të ndjeshme për disa javë. Pacientët duhet të jenë të kujdesshëm për të mos ushtruar presion në zonat ku yndyra është injektuar.
- Kosto më e lartë: Për shkak të natyrës, kjo procedurë mund të jetë më e shtrenjtë se teknikat e thjeshta. Pacientët duhet të jenë të përgatitur për koston dhe të diskutojnë me kirurgun mbi pritshmëritë.
- Rreziku i komplikacioneve të rralla: Si çdo ndërhyrje kirurgjikale, ekziston një rrezik i vogël për infeksion, hematoma, ose reaksione ndaj anestezisë. Ndaj është e rëndësishme që pacientët të zgjedhin një kirurg të kualifikuar dhe të ndjekin udhëzimet pas operacionit.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
