Çfarë janë hematomat?
Hematomat janë grumbullime të gjakut jashtë enëve të gjakut, të cilat krijohen si pasojë e dëmtimeve të indeve. Hematoma ndodh kur enët e gjakut dëmtohen dhe gjaku rrjedh jashtë tyre, duke formuar një masë nën lëkurë ose në indet e brendshme.
Si ndodhin hematomat pas ndërhyrjeve kirurgjikale estetike?
Një nga efektet anësore të zakonshme pas një ndërhyrje estetike, është ënjtja apo dhe mavijosja në vendin ku kryhet ndërhyrja. Ënjtja mund të ndodhë si rezultat natyral i traumës kirurgjikale dhe zhvillimit të hematomave. Hematomat janë një komplikacion i zakonshëm pas ndëryrjeve kirurgjikale estetike si rinoplastika, zmadhimi i gjoksit ose liposuksioni. Por shpesh ndodh që disa pacientë të shqetësohen dhe të tremben prej këtyre hematomave, duke u krijuar jo pak probleme psikologjike për ta. Gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, enët e gjakut mund të dëmtohen, duke lejuar që gjaku të rrjedhë dhe të mblidhet në inde. Pas operacionit, trupi ka nevojë për disa ditë për të reabsorbuar këtë gjak të shpërndarë. Megjithatë, në disa raste, gjaku mund të mblidhet në një zonë të caktuar dhe të formojë një hematomë.
Simptomat e hematomave pas operacioneve estetike
Simptomat e hematomave pas operacioneve estetike mund të ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe vendndodhjes së hematomës, por simptomat më të zakonshme përfshijnë:
- Ënjtje dhe mavijosje: Një hematomë pas një operacioni estetik mund të duket si një fryrje nën lëkurë dhe shpesh është e shoqëruar me mavijosje të dukshme. Zona përreth hematomës mund të marrë ngjyra të errëta si e kuqe, blu ose vjollcë.
- Dhimbje: Hematoma mund të shkaktojë dhimbje të moderuar deri të fortë, në varësi të madhësisë dhe vendit të saj. Dhimbja zakonisht është më e ndjeshme kur shtypet zona përreth ose gjatë lëvizjes.
- Asimetri: Nëse hematoma zhvillohet pas një ndërhyrjeje estetike që përfshin një pjesë të trupit që është simetrike (p.sh., zmadhimi i gjoksit ose rinoplastika), ajo mund të shkaktojë një pamje asimetrike për shkak të grumbullimit të gjakut në një anë.
- Kufizimi i lëvizjes: Në raste të mëdha, hematoma mund të kufizojë lëvizjen në zonën e prekur për shkak të presionit dhe dhimbjes.
Si trajtohen hematomat?
Hematomat trajtohen në mënyra të ndryshme dhe kryesisht varen nga madhësia dhe vendndodhja e tyre. Trajtimi mund të përfshijë masa të thjeshta në shtëpi ose ndërhyrje mjekësore për rastet më të rënda. Ja disa metoda të trajtimit të hematomave:
Trajtimi i hematomave në kushte shtëpiake
- Kompresa të ftohta: Aplikimi i kompresave të ftohta në zonën e prekur për 20 minuta çdo orë ndihmon në zvogëlimin e ënjtjes dhe në ndalimin e grumbullimit të mëtejshëm të gjakut. Kjo metodë është më efektive brenda 24-48 orëve të para.
- Kompresat elastike: Përdorimi i fashave elastike mund të ndihmojë në uljen e ënjtjes dhe mbështetjen e zonës së prekur për të parandaluar lëvizjet e tepërta që mund të përkeqësojnë hematomën.
Hematomat: trajtimi me anë të medikamenteve
- Barna kundër dhimbjes: Për të lehtësuar dhimbjen dhe inflamacionin, përdoren ilaçe anti-inflamatore jo-steroide (NSAIDs) si ibuprofen ose naproksen. Duhet të shmanget aspirina, pasi mund të përkeqësojë gjakderdhjen.
- Trajtimet topikale: Kremra dhe xhelë që përmbajnë substanca anti-inflamatore, si arnika ose heparina, mund të ndihmojnë në përshpejtimin e shpërbërjes së hematomës dhe në reduktimin e mavijosjes.
Trajtimi me anë të drenimit kirurgjik
Nëse hematoma është e madhe ose nuk po përmirësohet vetvetiu, mjeku mund të rekomandojë një drenim kirurgjik. Kjo procedurë përfshin krijimin e një prerjeje të vogël dhe largimin e gjakut të grumbulluar për të lehtësuar presionin dhe për të parandaluar komplikacione të tjera si infeksioni.
Koha e shërimit të hematomave
Hematoma të vogla zakonisht largohen brenda 1-2 javësh pa nevojë për ndërhyrje. Hematoma të mëdha mund të kërkojnë deri në 4-6 javë për t’u shpërbërë plotësisht, dhe në disa raste të rralla mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale për trajtim.
Hematomat në shtatzëni
Përvec hematomave pas një ndërhyrje kirurgjikale, edhe hematomat në shtatzëni janë të zakonshme, ndërsa ka raste edhe të rrezikshme. Hematomat në shtatzëni janë grumbullime të gjakut që formohen midis placentës dhe murit të mitrës. Një nga llojet më të zakonshme të hematomave gjatë shtatzënisë është hematoma subkorionale. Kjo hematomë ndodh kur ka një shkëputje të pjesshme të qeskës amniotike nga muri i mitrës. Këto hematoma mund të shkaktojnë gjakderdhje vaginale, por shpesh nuk ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në shtatzëni.
Llojet e hematomave në shtatzëni
- Hematoma subkorionale: Grumbullimi i gjakut midis qeskës amniotike dhe murit të mitrës.
- Hematoma retroplacentare: Grumbullim gjaku midis placentës dhe murit të mitrës, që është më i rrezikshëm pasi mund të shkaktojë shkëputjen e placentës.
Trajtimi i hematomave në shtatzëni
Trajtimi i hematomave në shtatzëni varet nga madhësia e hematomës, vendndodhja e saj dhe gjendja e përgjithshme e shtatzënisë. Në shumicën e rasteve, hematomat subkorionale nuk kërkojnë trajtime të ndërlikuara, dhe shpesh ato vetëshërohen me kalimin e kohës. Megjithatë, trajtimi duhet të përshtatet në bazë të gjendjes së nënës dhe fetusit, dhe gjithmonë me udhëzimet e mjekut. Janë disa nga metodat se si mund të trajtohen hematomat në shtatzëni:
- Pushim fizik: Gratë këshillohen të bëjnë pushim dhe të shmangin aktivitetet e rënda fizike.
- Monitorimi i gjendjes: Hematomat zakonisht monitorohen rregullisht me ekografi për të siguruar që nuk po rriten.
- Shmangia e marrëdhënieve seksuale: Kjo mund të rekomandohet për një periudhë të shkurtër për të shmangur çdo acarim të mitrës.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
