Zvogëlimi i gjoksit: si ndikon në frymëmarrje?
Si ndikon madhësia e gjoksit në frymëmarrje?
Gratë me gjoks të madh shpesh përballen me probleme të frymëmarrjes. Kjo ndodh për shkak të presionit të shtuar që krijohet nga pesha e gjoksit në kafazin e kraharorit dhe diafragmën. Gjoksi i madh krijon një presion të madh mbi diafragmë, gjë që e bën më të vështirë zgjerimin e plotë të kraharorit gjatë frymëmarrjes. Ky presion mund të rezultojë në frymëmarrje të kufizuar, duke ndikuar në furnizimin e duhur me oksigjen të trupit. Për më tepër, pozicionimi i shpinës dhe i qafës shpesh ndryshon, për të mbajtur peshën e gjoksit të madh. Kjo çon në kifozë (lakim të shpinës), çka ndikon negativisht në aftësinë për të marrë frymë lirshëm.
Frymëmarrja e pamjaftueshme mund të çojë në lodhje të shpejtë dhe mungesë të oksigjenit. Kjo gjë ndikon në performancën fizike, sidomos gjatë aktiviteteve të përditshme ose gjatë ushtrimeve.
Zvogëlimi i gjoksit: përse duhet të kryhet ndërhyrja?
Zvogëlimi i gjoksit, është një ndërhyrje kirurgjikale që kryhet për të zvogëluar madhësinë e gjoksit. Kjo procedurë heq yndyrën, indet e tepërta dhe lëkurën. Ka disa arsye për të cilat gratë zgjedhin të kryejnë këtë ndërhyrje:
- Përmirësimi i frymëmarrjes: Një nga përfitimet kryesore të zvogëlimit të gjoksit është lehtësimi i presionit mbi kafazin e kraharorit dhe diafragmën, duke përmirësuar aftësinë e trupit për të marrë frymë lirshëm. Pas ndërhyrjes, shumë gra raportojnë se ndihen më të lira dhe se frymëmarrja është më e thellë dhe më e lehtë.
- Lehtësimi i dhimbjeve në shpinë dhe qafë: Gjoksi i madh krijon shpesh tension në shpinë dhe qafë, çka mund të çojë në dhimbje kronike. Heqja e një pjese të gjoksit mund të zvogëlojë ndjeshëm këtë dhimbje dhe të përmirësojë posturën.
- Përmirësimi i cilësisë së jetës: Gratë që kryejnë këtë ndërhyrje shpesh raportojnë përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e jetës, si në aspektin fizik ashtu edhe emocional. Ushtrimet dhe aktivitetet e përditshme bëhen më të lehta, dhe vetëbesimi përmirësohet. Kjo për shkak të një pamjeje më të balancuar të trupit.
- Shmangia e irritimeve të lëkurës: Gjoksi i madh mund të shkaktojë irritime të lëkurës dhe infeksione për shkak të fërkimit të vazhdueshëm të lëkurës së poshtme të gjoksit me lëkurën e kraharorit. Kjo është një nga arsyet më të zakonshme pse gratë zgjedhin të zvogëlojnë madhësinë e gjoksit.
Zvogëlimi i gjoksit: anët pozitive
- Përmirësimi i shëndetit fizik: Zvogëlimi i gjoksit përmirëson drejtpërdrejt cilësinë e frymëmarrjes dhe redukton presionin mbi muskujt e frymëmarrjes. Pacientet shpesh raportojnë një rritje të ndjeshme të aftësisë për të marrë frymë më lirshëm pas ndërhyrjes. Kjo ndodh sidomos gjatë stërvitjes dhe aktiviteteve të përditshme.
- Reduktimi i dhimbjeve kronike: Zvogëlimi i gjoksit ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të shpinës, qafës dhe shpatullave. Kjo bënë që pacientet të ndihen më rehat fizikisht. Kjo është një nga përfitimet kryesore dhe të menjëhershme të kësaj ndërhyrjeje.
- Përmirësimi i vetëbesimit dhe pamjes së trupit: Një nga përfitimet psikologjike është përmirësimi i vetëbesimit. Shumë gra ndihen më të sigurta për trupin e tyre pas ndërhyrjes, pasi arrijnë një formë më të balancuar.
- Liria nga kufizimet fizike: Gjatë aktiviteteve fizike si vrapi, kërcimi ose edhe ecja, gjoksi i madh mund të shkaktojë ndjesi të rëndimit. Pas zvogëlimit të gjoksit, shumë gra raportojnë se mund të ushtrojnë pa ndjenjën e rëndimit të tepërt.
Anët negative dhe rreziqet
Si çdo ndërhyrje kirurgjikale, edhe zvogëlimi i gjoksit ka disa rreziqe dhe anë negative që duhet të merren parasysh. Mes këtyre më kryesoret janë:
- Rreziqet kirurgjikale: Ashtu si çdo operacion, ekzistojnë rreziqe të tilla si infeksioni, gjakderdhja, ose reaksionet alergjike ndaj anestezisë. Ndaj është e nevojshme që të zgjidhen mjek dhe klinika të specializuara. Në KEIT aplikohet gjithmonë anestezi gjenerale totalisht endovenoze, e cila mban tensionin e gjakut të ulur, duke minimizuar gjakrrjedhjen e të nxirat si dhe redukton në maksimum rrezikun për të vjella e marrje mendsh.
- Ndryshimet në ndjeshmëri: Disa paciente mund të përjetojnë ndryshime në ndjeshmërinë e gjoksit ose thithave pas ndërhyrjes. Kjo ndjeshmëri mund të rikthehet me kalimin e kohës, por për disa mund të mbetet e ndryshuar përgjithmonë.
- Koha e rikuperimit: Rikuperimi pas zvogëlimit të gjoksit kërkon kohë dhe kujdes të veçantë. Pacientet duhet të shmangin aktivitetet fizike të rënda për disa javë. Ata duhet të ndjekin me kujdes udhëzimet e kirurgut për të shmangur komplikacionet.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
