Cistet: çfarë janë dhe si trajtohen

Cistet: çfarë janë dhe si trajtohen

Përmbajtja

Çfarë janë cistet?

Cistet janë forma të mbushura me lëng, ajër, ose materiale të ngurta dhe shfaqen në çdo pjesë të trupit. Ato mund të jenë të vogla ose të mëdha e të dukshme, dhe shpesh janë të buta. Cistet mund të paraqiten si rezultat i proceseve të ndryshme në organizëm, si problemet e zakonshme të qarkullimit të lëngjeve, infeksionet apo tumoret

Cistet: simptomat

Simptomat e cisteve ndryshojnë në varësi të vendndodhjes dhe madhësisë së tyre. Këto mund të përfshijnë:

  • Dhimbje: Sidomos nëse cisti është i madh ose është i vendosur në një zonë të ndjeshme.
  • Ndjesi e plote: Ndjesi e ngjashme me një masë të ndjeshme në lëkurë ose nën lëkurë.
  • Çrregullime funksionale: Cistet që ndodhen në organet e brendshme mund të ndikojnë në funksionin normal të organit dhe të shkaktojnë simptoma të tjera të lidhura.

 

Cistet në vezore

Ka qindra lloje të ndryshme të cisteve të cilat mund të zhvillohen në organizëm. Por nga llojet më të shpeshta, janë ato në vezore. Cistet në vezore janë masa të mbushura me lëng që formohen në vezoret e femrës. Ato janë mjaft të zakonshme dhe shpesh nuk shkaktojnë simptoma të dukshme, duke u zbuluar vetëm gjatë një ekzaminimi rutinë ose një skanimi të imazhit. Megjithatë, disa ciste mund të shkaktojnë shqetësime ose probleme shëndetësore, apo dhe çrregullime hormonale. Ato mund të ndryshojnë në madhësi dhe në përbërje dhe ndodhin për disa arsye, përfshirë:

  • Cistet funksionale, të cilat formohen si pjesë e ciklit menstrual.
  • Cistet folikulare që ndodhin kur një folikul që përmban një vezë nuk shpërthehet dhe vazhdon të rritet.
  • Cistet luteale, që formohen kur folikuli, pas çlirimit të vezës, nuk resorbizohet dhe vazhdon të mbushet me lëng.
  • Cistet endometriozike që shfaqen kur indet e endometriozës rriten në vezore dhe krijojnë ciste të mbushura me gjak.

 

Simptomat e cisteve në vezore

Shumica e cisteve në vezore janë asimptomatike dhe zbulohen rastësisht gjatë një kontrolli rutinë. Megjithatë, kur cistet janë të mëdha ose shkaktojnë probleme, simptomat mund të përfshijnë:

  • Dhimbje në bark ose në zonën e legenit
  • Ndryshime në ciklin menstrual
  • Ngarkesë ose ndjesi e plotë në bark
  • Probleme me urinimin ose defekimin

Cistet në vezore: diagnostifikimi dhe trajtimi

Shumica e cisteve janë të padëmshme dhe zhduken vetë, por disa mund të shkaktojnë probleme dhe kërkojnë trajtim mjekësor.

Si bëhet diagnostikimi i cistet në vezore?

Diagnostikimi i cisteve në vezore është një proces që përfshin një kombinim të historisë mjekësore, ekzaminimit fizik, dhe testimeve të imazherisë. Diçka e tillë bëhet për të përcaktuar prezencën e një cisti në vezore, madhësinë dhe natyrën e tij (beninje ose malinje). Ja disa nga hapat kryesorë të diagnostikimit:

  • Marrja e historisë mjekësore dhe simptomave: Mjeku fillon duke marrë një historik të plotë mjekësor dhe duke pyetur pacienten për simptomat që ajo mund të ketë përjetuar, të tilla si:
  • Dhimbje në barkun e poshtëm (sidomos gjatë ovulacionit ose menstruacioneve).
  • Gjakderdhje anormale.
  • Fryrje të barkut ose ndjesi të fryrjes.
  • Ndryshime në ciklin menstrual.
  • Probleme me urinimin ose lëvizjet e zorrëve (për shkak të presionit nga një cist i madh).
  • Ekzaminimi fizik: Gjatë një kontrolli fizik, mjeku mund të bëjë një ekzaminim pelvik për të ndjerë ndonjë fryrje, ndjesi ose formim anormal në zonën e vezoreve. Megjithatë, ekzaminimi fizik vetëm rrallëherë mund të japë informacion të saktë mbi natyrën e cistit, dhe për këtë arsye nevojiten teste të mëtejshme.

 

  • Ultrasonografia transvaginale (ekografia): Ultrasonografia transvaginale është një nga testet më të përdorura për diagnostikimin e cisteve në vezore. Gjatë këtij testi, përdoret një sondë që futet në vaginë për të marrë një imazh të qartë të vezoreve dhe të organeve përreth. Me këtë metodë mund të përcaktohet:
  • Madhësia e cistit.
  • Struktura e tij (nëse është i mbushur me lëngje, solid, apo i përzier).
  • Prania e ndonjë formimi të dyshimtë.
  • Ultrasonografia abdominale mund të përdoret gjithashtu, veçanërisht nëse cisti është i madh dhe ultrasonografia transvaginale nuk është e mjaftueshme.
  • Testet e gjakut: Në disa raste, mjeku mund të rekomandojë teste gjaku për të vlerësuar shëndetin e përgjithshëm të pacientes dhe për të përjashtuar mundësinë e kancerit të vezores.

Si trajtohen cistet në vezore?

Trajtimi i cisteve në vezore varet nga madhësia, lloji dhe simptomat që ato shkaktojnë. Për shumicën e cisteve beninje dhe funksionale, si në rastet gjatë shtatzënisë, vëzhgimi dhe mjekimi me hormone mund të jenë të mjaftueshme. Për cistet që shkaktojnë simptoma të rënda ose që kanë potencial të jenë malinje, kirurgjia mund të jetë e nevojshme.

Cistet në vezore: trajtimi për cistet funksionale

  • Vëzhgimi: Në shumë raste, veçanërisht për cistet funksionale (ato që ndodhin gjatë ovulacionit), mjeku mund të rekomandojë vetëm vëzhgimin për disa muaj. Cistet funksionale shpesh zhduken vetë pa ndonjë trajtim të mëtejshëm.
  • Medikamentet hormonale: Kontraceptivët oralë shpesh rekomandohen për të parandaluar krijimin e cisteve të reja. Këto medikamente ndihmojnë në rregullimin e ciklit menstrual dhe zvogëlojnë rrezikun e formimit të cisteve.

 

Kirurgjia

Kirurgjia është një opsion trajtimi për cistet që nuk zhuken vetë, janë të mëdha ose kanë karakteristika të dyshimta që sugjerojnë se mund të jenë kanceroze. Ja disa metoda:

  • Cistektomia: Kur cistet janë të mëdha, nuk zhduken vetë, ose shkaktojnë dhimbje të rëndësishme, mund të jetë e nevojshme heqja e tyre kirurgjikale. Ky operacion mund të kryhet nëpërmjet laparoskopisë (minimale invazive) ose laparotomisë (më invazive).
  • Heqja e vezores: Në raste të rënda, kur cisti është shumë i madh ose ka shenja kancerogjene, mund të jetë e nevojshme heqja e një vezoreje të tërë.
  • Trajtimi i kancerit të vezoreve: Nëse cisti është kancerogjen, trajtimi mund të përfshijë kirurgjinë për të hequr tumoret, ndjekur nga kemoterapia ose radioterapia.
Dr. Skerdi Faria
Autori i artikullit

Dr. Skerdi Faria

Misioni:

“T’u ofrojmë pacientëve një qasje të bazuar në ekselencë, siguri dhe risi në fushën e kirurgjisë estetike, me protokolle të nivelit të lartë dhe rezultate natyrale e harmonike.”

Formimi dhe Specializimet:

• Diplomë në Mjekësi dhe Kirurgji (1995)
• Specializim në Shëndet Publik (2002, me lavdërime, Universiteti La Sapienza, Romë)
• Specializim në Anestezi dhe Reanimacion (2009, me lavdërime, Universiteti Tor Vergata, Romë)
• Doktoraturë në Infeksione Spitalore (2005, me lavdërime, Universiteti La Sapienza, Romë)

Karriera dhe Vlerësime:

• Themelues dhe Drejtor i KEIT Day Hospital (që nga viti 2011)
• Autor i shumë studimeve shkencore të botuara në PubMed dhe Google Scholar
• Ekspert në kirurgji estetike, infeksione spitalore dhe protokolle të avancuara të anestezisë
• Medalje e artë (1989, Ministria e Arsimit Publik – Shqipëri), Energie për Romën (2025, Qendra Evropiane e Studimeve Kulturore – Romë) dhe të tjera.

Media dhe Vlerësime Publike:

Dr. Skerdi Faria është njohur si një ndër mjekët më me ndikim në fushën e kirurgjisë estetike dhe është intervistuar e cituar nga mediat kryesore në Shqipëri dhe Itali, përfshirë:
• Itali: Rai 1, Rai 2, Rai 3, Mediaset, La7, Corriere della Sera, Il Sole 24 Ore, Il Messaggero, La Gazzetta del Mezzogiorno, Il Tempo, Adnkronos.
• Shqipëri: Top Channel, Klan TV, Vizion Plus, Shqiptarja.com, Panorama, Gazeta Express.

Për më shumë informacione klikoni këtu