Çfarë është buza e lepurit?
Buza e lepurit, (cleft lip) është një defekt i lindur që ndodh kur struktura e sipërme e buzës nuk bashkohet siç duhet gjatë zhvillimit të fetusit. Ky defekt krijon një ndarje ose çarje që mund të jetë një tërheqje e vogël në buzën e sipërme ose një ndarje më e gjerë që përfshin edhe pjesën e sipërme të gojës, të njohur si qiellza e ndarë (cleft palate). Ky defekt prek rreth 1 në 700 të porsalindur, dhe shfaqet më shpesh në djem.
Buza e lepurit dhe qiellza ndodhin kur indet që formojnë buzën dhe qiellzën nuk mbyllen siç duhet gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Në shumë raste, shkaqet janë të ndërlikuara dhe përfshijnë faktorë gjenetikë dhe ambientalë. Edhe pse mund të ndikojë në ushqyerjen, të folurit dhe pamjen, ky defekt mund të korrigjohet me ndërhyrje kirurgjikale. Joaquin Phoenix, aktori fitues i çmimit Oscar është një nga personazhet e njohur që ka lindur me një shenjë në buzë. Ajo e Phoenix shpesh konsiderohet si një “cleft lip” i lehtë ose një formë më e butë e këtij defekti.
Si dallon buza e lepurit?
Defekti mund të variojë nga një ndarje e vogël e buzës që nuk prek shumë strukturat e tjera, deri te një çarje që përshkon pjesën e sipërme të buzës dhe kalon në qiellzë. Në fakt janë disa lloje të këtij defekti, duke përfshirë:
- Buza e lepurit e njëanshme: Kur çarja ndodh vetëm në njërën anë të buzës.
- Buza e lepurit e dyanshme: Kur ndarja ndodh në të dy anët e buzës së sipërme.
- Buza e lepurit me qiellzë të ndarë: Kjo ndarje prek edhe qiellzën, duke ndikuar në funksionet e të ushqyerit dhe të folurit.
Buza e lepurit: çfarë ndikon në shfaqjen e saj?
Buza e lepurit nuk ka një arsye të saktë dhe të qartë mbi shkaqet e shfaqjes. Sipas fakteve të mbledhura, ky defekt vjen si pasojë e ndikimeve nga një kombinim faktorësh gjenetikë dhe ambientalë. Faktorët që mund të rrisin rrezikun për këtë defekt përfshijnë:
- Historia familjare: Nëse një anëtar i familjes ka pasur këtë defekt, ekziston një rrezik më i lartë që të ndodhë edhe në gjeneratat e tjera.
- Ekspozimi ndaj substancave të dëmshme gjatë shtatzënisë: Pirja e duhanit, konsumi i alkoolit ose ekspozimi ndaj kimikateve të dëmshme gjatë periudhës së shtatzënisë, mund të rrisë rrezikun për këtë defekt.
- Defiçenca ushqimore: Mungesa e vitaminave dhe mineraleve të caktuara, si acidi folik, mund të ndikojë në zhvillimin e fetusit.
Buza e lepurit: ndërhyrja kirurgjikale
Riparimi kirurgjik i buzës së lepurit zakonisht kryhet gjatë muajve të parë të jetës së fëmijës. Shpesh ndërhyrja bëhet mes 3 dhe 6 mujorit të parë të jetës. Ndërhyrja përfshin mbylljen e çarjes në buzë dhe përmirësimin e funksionit dhe pamjes së saj. Në disa raste, kërkohet edhe korrigjimi i qiellzës së ndarë. Kjo ndërhyrje mund të kryhet në një fazë të dytë, kur fëmija është rreth 12 muajsh.
Procesi kirurgjikal për një ndërhyrje të tillë kalon në disa hapa, ndër të cilët më kryesor janë:
- Anestezia: Fëmija është nën anestezi të përgjithshme për të mos ndjerë dhimbje dhe për të qenë i qetë gjatë operacionit.
- Mbyllja e çarjes: Kirurgu bën prerje përgjatë ndarjes dhe bashkon indet për të krijuar një pamje më të natyrshme të buzës dhe qiellzës, nëse është e prekur.
- Kujdesi pas operacionit: Fëmija ka nevojë për mbikëqyrje të kujdesshme gjatë periudhës së rikuperimit për të siguruar që plaga të shërohet mirë.
Anët pozitive të ndërhyrjes kirurgjikale
Ndërhyrja kirurgjikale për buzën e lepurit ka disa përfitime për fëmijën që e kryen ndër të cilat:
- Përmirësimi estetik: Korrigjimi i buzës së lepurit përmirëson dukshëm pamjen e fëmijës. Kjo i jep atij një fytyrë më natyrale dhe të simetrike. Ky përmirësim estetik ka një ndikim të madh pozitiv në vetëvlerësimin dhe zhvillimin shoqëror të fëmijës.
- Përmirësimi i funksioneve të të ushqyerit dhe frymëmarrjes: Buza e lepurit shpesh shkakton vështirësi në ushqyerjen dhe frymëmarrjen e fëmijëve. Pas operacionit, funksionet e ushqyerjes përmirësohen ndjeshëm. Kjo bënë që fëmija të ushqehet më lehtë dhe të marrë sasinë e duhur të lëndëve ushqyese.
- Përmirësimi i të folurit: Fëmijët me buzë lepuri, veçanërisht ata me qiellzë të ndarë, përballen me vështirësi të mëdha në të folur. Ndërhyrja kirurgjikale, e kombinuar me trajtimin e të folurit, ndihmon në përmirësimin e komunikimit të tyre, duke i dhënë fëmijës një mundësi më të mirë për të mësuar dhe për të zhvilluar aftësitë e të folurit.
- Ndikimi psikologjik dhe social: Një pamje më natyrale pas operacionit ndihmon fëmijën të ndihet më i integruar në shoqëri. Ndikimi pozitiv mbi vetëvlerësimin dhe aftësitë sociale është i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës.
Anët negative
- Shumë faza kirurgjikale: Në disa raste, për të arritur rezultatet më të mira, kërkohet më shumë se një operacion. Korrigjimi i qiellzës së ndarë dhe përmirësimet estetike mund të kërkojnë ndërhyrje të shumta gjatë rritjes së fëmijës. Kjo mund të jetë sfiduese për prindërit dhe fëmijën, si nga pikëpamja fizike, ashtu edhe emocionale.
- Rreziku i komplikacioneve: Si çdo ndërhyrje kirurgjikale, buza e lepurit dhe riparimi, nuk është pa rreziqe. Komplikacionet mund të përfshijnë infeksione, dhimbje, gjakderdhje dhe reagime ndaj anestezisë. Megjithatë, këto janë rreziqe relativisht të rralla kur operacioni kryhet nga kirurgë me përvojë.
- Koha e rikuperimit: Procesi i shërimit kërkon kohë dhe përkujdesje intensive. Fëmijët mund të kenë nevojë për një dietë të veçantë dhe mbikëqyrje të ngushtë për të siguruar që plaga të shërohet siç duhet. Kjo periudhë mund të jetë stresuese për prindërit dhe fëmijën.
- Trajtimi psikologjik i nevojshëm: Fëmijët dhe prindërit mund të përjetojnë vështirësi emocionale gjatë procesit të trajtimit, për shkak të sfidave fizike dhe sociale që sjell buza e lepurit.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
