Si ndikon duhani në rezultatet dhe shërimin
Duhani dhe konsumimi i tij, është një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikon negativisht në shëndetin e përgjithshëm të individit. Ndikimi i tij është veçanërisht i dukshëm në procesin e rikuperimit pas një operacioni të kryer. Studime të shumta kanë treguar se pirja e duhanit mund të përkeqësojë ndjeshëm rezultatet e ndërhyrjeve kirurgjikale. Kjo çon në shërim më të ngadaltë dhe një rritje të rrezikut për komplikacione. Në këtë artikull, do të eksplorojmë në detaje mënyrat sesi duhanpirja ndikon në procesin e rikuperimit pas operacionit. Do të shpjegojmë se përse lënia e duhanit para dhe pas një operacioni, është kaq thelbësore për shëndetin.
Duhani: si ndikon në trupin e njeriut?
Për të kuptuar se si ndikon duhani në procesin e rikuperimit pas operacionit, është e rëndësishme të shqyrtojmë se si pirja e duhanit ndikon në trup. Duhanpirja përmban mijëra kimikate toksike, duke përfshirë nikotinën, monoksidin e karbonit dhe katranin. Këto kanë efekte negative të drejtpërdrejta në pothuajse çdo sistem të trupit.
- Nikotinë dhe monoksid karboni: Këto dy substanca janë kryesoret që dëmtojnë qarkullimin e gjakut. Nikotina ngushton enët e gjakut, duke penguar rrjedhjen e gjakut të pasur me oksigjen dhe lëndë ushqyese në zonat e dëmtuara, të cilat janë thelbësore për procesin e shërimit. Monoksidi i karbonit ul aftësinë e qelizave të kuqe të gjakut për të transportuar oksigjenin. Ky proces zvogëlon ndjeshëm furnizimin me oksigjen të nevojshëm për indet që të rigjenerohen.
- Imuniteti i reduktuar: Duhanpirja dobëson sistemin imunitar të trupit. Një sistem imunitar i dobësuar e bën trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Veçanërisht kjo ndodh pas një ndërhyrje kirurgjikale kur sistemi imunitar është tashmë i stresuar.
Duhani dhe procesi i shërimit të plagëve
Një nga efektet më të dëmshme të duhanpirjes në rikuperimin pas operacionit është përkeqësimi i shërimit të plagëve. Pirja e duhanit vonon ndjeshëm rigjenerimin e indeve. Kjo do të thotë se plaga pas operacionit mund të marrë më shumë kohë për t’u mbyllur. Ka dhe disa raste, ku mund të mos shërohet plotësisht.
Oksigjenimi i reduktuar i indeve: Oksigjeni është i domosdoshëm për rigjenerimin e indeve dhe për prodhimin e kolagjenit, një proteinë e rëndësishme për forcën dhe elasticitetin e lëkurës.
Rreziku i lartë për nekrozë të indeve: Në rastet ku furnizimi me gjak është shumë i kufizuar, indet e trupit mund të mos marrin mjaftueshëm oksigjen dhe mund të vdesin. Kjo mund të çojë në nekrozë të indeve. Kjo është një gjendje në të cilën indet e dëmtuara nuk mund të rigjenerohen dhe mund të kërkojnë ndërhyrje shtesë për heqjen e tyre.
Rritja e rrezikut të infeksionit: Një tjetër komplikacion për duhanpirësit pas operacionit është rreziku më i lartë për infeksione të plagëve. Si rezultat i funksionimit të dobët të sistemit imunitar dhe oksigjenit të ulët në indet e dëmtuara, ata që konsumojnë duhan, kanë më pak aftësi për të luftuar bakteret dhe për të parandaluar infeksionet.
Ndikimi në ndërhyrjet kirurgjikale plastike dhe ortopedike
Disa lloje operacionesh kirurgjikale janë veçanërisht të ndjeshme ndaj efekteve të duhanpirjes. Për shembull, operacionet plastike dhe ortopedike kërkojnë një furnizim të mirë me gjak. Kjo për të siguruar shërimin e suksesshëm të indeve dhe kockave. Duhani dhe konsumimi i tij bëjnë të kundërtën
- Kirurgjia plastike: Shumë operacione plastike, si ato të rindërtimit të gjirit, ndërhyrjet faciale dhe liposuksioni, kanë nevojë për një furnizim të mirë me gjak. Kjo për të minimizuar formimin e plagëve dhe për të siguruar një shërim estetikisht të kënaqshëm. Duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë për formimin e plagëve të dukshme, nekrozë të lëkurës dhe komplikacione të tjera që mund të kërkojnë korrigjime të mëtejshme.
- Kirurgjia ortopedike: Operacionet ortopedike, kërkojnë një rigjenerim të mirë të kockës dhe indeve për të qenë të suksesshme. Duhanpirja ndikon negativisht në procesin e osteointegrimit. Ai vonon shërimin e kockës dhe rrit rrezikun për komplikacione të mëtejshme si deformimet ose dështimet kirurgjikale.
Shëndeti kardiovaskular dhe duhanpirja pas operacionit
Duhani rrit ndjeshëm rrezikun për komplikacione kardiovaskulare pas operacionit. Nikotina ngushton enët e gjakut, duke çuar në rritjen e presionit të gjakut dhe rrahjeve të zemrës. Kjo ngarkesë e shtuar në zemër dhe enët e gjakut, mund të shkaktojë krizë kardiake. Gjithashtu ajo shkakton goditje në tru ose komplikacione të tjera të rënda kardiovaskulare pas operacionit. Këto rreziqe janë veçanërisht të theksuara për pacientët që i nënshtrohen operacioneve që përfshijnë zemrën, mushkëritë ose sistemin vaskular.
Duhani: përfitimet e lënies para operacionit
Lënia e duhanit para një operacioni mund të përmirësojë ndjeshëm shanset për një rikuperim të suksesshëm. Hulumtimet kanë treguar se edhe disa javë pa duhan përpara operacionit mund të përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe oksigjenimin e indeve, duke ulur rrezikun e komplikacioneve. OBSH ka publikuar edhe një studim për këtë fakt. Sipas tij, personat që ndalojnë pirjen e duhanit, sikur edhe 4 javë para një operacioni kirurgjikal, janë më pak të prirur të kenë ndërlikime pas operacionit. Por cilat janë përfitimet e tjera nga lënia e duhanit:
Qarkullimi i përmirësuar i gjakut: Brenda disa ditësh nga lënia e duhanit, enët e gjakut fillojnë të zgjerohen, duke përmirësuar rrjedhjen e gjakut në trup. Kjo përmirëson furnizimin me oksigjen të indeve dhe rrit shanset për një shërim më të shpejtë dhe më të plotë.
Funksioni më i mirë i mushkërive: Pas lënies së duhanit, funksioni i mushkërive fillon të përmirësohet. Ajo lehtëson frymëmarrjen dhe ul rrezikun e komplikacioneve respiratore gjatë dhe pas operacionit. Kjo është e rëndësishme sidomos për pacientët që i nënshtrohen anestezisë, pasi mushkëritë e shëndetshme janë thelbësore për një shërim të sigurt.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
