Tetori rozë: mbrojtja ndaj kancerit të gjirit

Tetori rozë: mbrojtja ndaj kancerit të gjirit

Përmbajtja

Muaj tetor njihet ndërkombëtarisht si “Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit” dhe shpesh quhet Tetori rozë. Ky muaj është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për një nga sëmundjet më të përhapura tek gratë. Theksi kryesor vendoset te rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe masave parandaluese. Ngjyra rozë, simboli i kësaj kauze, përfaqëson forcën, mbështetjen dhe shpresën për të gjithë ata që përballen me kancerin e gjirit. Në të njëjtën kohë, ajo kujton rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin e gjirit.

Çfarë është Tetori rozë?

Tetori roze është një iniciativë globale që synon të edukojë dhe informojë publikun për kancerin e gjirit. Tetori rozë përfshin aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese, të tilla si marshime, fushata mediatike, dhe evente për mbledhje fondesh. Qëllimi është mbështetja për kërkimet mbi kancerin e gjirit dhe për të ndihmuar ata që përballen me këtë sëmundje. Organizatat dhe individët bashkohen për të shpërndarë informacion të vlefshëm mbi mënyrat e diagnostikimit të hershëm. Ato inkurajojnë kontrollet e rregullta dhe vetë-ekzaminimet. Edhe KEIT Day Hospital i bashkohet çdo vit kësaj fushate informuese, duke dhuruar flokë për gratë e prekura, ndërsa ofron gjithashtu mundësinë që çdo grua të bëjë eko gjiri falas. Synimi është diagnostikimi i hershëm si dhe marrja e masave parandaluese.

Kanceri i gjirit: rëndësia e diagnostikimit të hershëm

Diagnostikimi i hershëm është çelësi për trajtimin efektiv të kancerit të gjirit. Kur kapet në fazat e hershme, kanceri i gjirit ka një shkallë të lartë të mbijetesës dhe shumë opsione trajtimi. Ndaj dhe gjatë këtij muaji, i njohur si Tetori rozë thirrjet janë të vazhdueshme për vetkontroll. Vetë-ekzaminimi dhe kontrollet e rregullta me mamografi janë dy nga mënyrat më të fuqishme për të zbuluar ndryshime të mundshme në strukturën e gjirit.

Tetori rozë dhe masat parandaluese për kancerin e gjirit

Kanceri i gjirit nuk mund të parandalohet me një mënyrë apo metodë të sigurt. Gjithsesi disa masa mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Këto masa përfshijnë ndryshime në stilin e jetës, ndërgjegjësimin për faktorët e rrezikut dhe kryerjen e kontrolleve të rregullta mjekësore. Masat më të rëndësishme për t’u marrë parasysh dhe për tu ndjekur mund të ndahen në ato mjekësore dhe ndryshimet në stilin e jetesës.

Tetori rozë: masat mjekësore për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Në këtë kategori përfshihen masat që lidhen me diagnostikimin e hershëm dhe kontrollet mjekësore që ndihmojnë në zbulimin e kancerit të gjirit në fazat e tij të hershme.

  • Vetë-ekzaminimi i gjirit: Vetë-ekzaminimi i gjirit është një metodë e thjeshtë dhe efektive që çdo grua mund të kryejë në shtëpi. Rekomandohet të kryhet një herë në muaj, mundësisht pas ciklit menstrual. Kjo praktikë ndihmon gratë të njohin më mirë strukturën e gjinjve të tyre dhe të zbulojnë ndryshime të vogla si gunga, fryrje ose ndryshime në lëkurë që mund të jenë shenja të hershme të kancerit.
  • Mamografia: Mamografia është një nga mjetet më të fuqishme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Gratë e moshës 40-50 vjeç duhet të konsultohen me mjekun për të përcaktuar nëse mamografia është e nevojshme çdo vit ose çdo dy vjet. Ndërsa gratë mbi 50 vjeç zakonisht duhet ta bëjnë çdo vit. Nëse ka histori familjare të kancerit të gjirit, mund të rekomandohet fillimi i ekzaminimeve më herët.
  • Hormonal Replacement Therapy (HRT): Përdorimi i terapisë hormonale zëvendësuese pas menopauzës ka qenë i lidhur me një rrezik të rritur të kancerit të gjirit. Këshillohet që gratë që po konsiderojnë HRT të konsultohen me mjekun e tyre dhe të peshojnë përfitimet dhe rreziqet për shëndetin e tyre personal

Ndryshimet në stilin e jetës për parandalimin e kancerit të gjirit

Kjo kategori përfshinë masa që lidhen me mënyrën e jetesës, dietën dhe aktivitetet fizike. Diçka e tillë ndihmon në uljen e rrezikut të zhvillimit të kancerit të gjirit. Tetori rozë dhe fushatat gjatë këtij muaji, përfshijnë pikërisht këshillat që kanë të bëjnë me hapat që duhet të ndiqen për:

  • Një dietë e shëndetshme: Ushqimi i ekuilibruar dhe i pasur me vitamina dhe minerale është një nga faktorët që kontribuon në uljen e rrezikut. Përfshirja e frutave dhe perimeve, veçanërisht ato me përmbajtje të lartë antioksidantësh, mund të ndihmojë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet. Këshillohet të shmangen yndyrnat e ngopura dhe ushqimet e përpunuara.
  • Aktiviteti fizik: Stili i jetës sedentare është një faktor rreziku për shumë sëmundje, përfshirë kancerin e gjirit. Aktiviteti fizik i rregullt ndihmon në ruajtjen e një peshe të shëndetshme. Ai ul nivelin e hormoneve që mund të kontribuojnë në zhvillimin e kancerit. 30 minuta aktivitet fizik çdo ditë, janë të rekomanduara për të ruajtur shëndetin dhe për të ulur rrezikun e kancerit.
  • Kontrolli i peshës: Obeziteti, veçanërisht pas menopauzës, është një faktor rreziku i njohur për kancerin e gjirit. Për shkak të rritjes së niveleve të estrogjenit në trup, gratë mbipeshë kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Ruajtja e një peshe të shëndetshme, është një masë parandaluese e fuqishme.
  • Shmangia e alkoolit dhe duhanit: Përdorimi i alkoolit dhe duhanit është lidhur me një rritje të rrezikut për kancer të gjirit. Studimet tregojnë se gratë që konsumojnë alkool vazhdimisht kanë një rrezik më të lartë për kancerin e gjirit. Gjithashtu, duhanpirja është e lidhur me një rrezik më të lartë për shumë lloje të kancerit, përfshirë kancerin e gjirit.

Tetori rozë: kanceri i gjirit në Shqipëri

Në Shqipëri, kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë tek gratë. Kjo ka treguar një tendencë në rritje gjatë dekadave të fundit. Aktualisht, incidenca e kancerit të gjirit është rreth 45 raste të reja për 100,000 gra. Kjo shifër përkon me 600-650 raste të reja në vit. Rreth 80% e grave që preken nga kjo sëmundje janë mbi moshën 45 vjeç. Rritja e ndërgjegjësimit dhe kontrollet e rregullta kanë ndikuar në uljen e rasteve fatale. Megjithatë një sfidë mbetet kapja e sëmundjes në stade të avancuara. Veçanërisht kjo ndodhi gjatë periudhave si pandemia, kur shumë gra u diagnostikuan me vonesë. Ndërgjegjësimi dhe kontrollet parandaluese mbeten thelbësore për uljen e rrezikut dhe përmirësimin e trajtimit të kancerit të gjirit në Shqipëri.

 

Dr. Skerdi Faria
Autori i artikullit

Dr. Skerdi Faria

Misioni:

“T’u ofrojmë pacientëve një qasje të bazuar në ekselencë, siguri dhe risi në fushën e kirurgjisë estetike, me protokolle të nivelit të lartë dhe rezultate natyrale e harmonike.”

Formimi dhe Specializimet:

• Diplomë në Mjekësi dhe Kirurgji (1995)
• Specializim në Shëndet Publik (2002, me lavdërime, Universiteti La Sapienza, Romë)
• Specializim në Anestezi dhe Reanimacion (2009, me lavdërime, Universiteti Tor Vergata, Romë)
• Doktoraturë në Infeksione Spitalore (2005, me lavdërime, Universiteti La Sapienza, Romë)

Karriera dhe Vlerësime:

• Themelues dhe Drejtor i KEIT Day Hospital (që nga viti 2011)
• Autor i shumë studimeve shkencore të botuara në PubMed dhe Google Scholar
• Ekspert në kirurgji estetike, infeksione spitalore dhe protokolle të avancuara të anestezisë
• Medalje e artë (1989, Ministria e Arsimit Publik – Shqipëri), Energie për Romën (2025, Qendra Evropiane e Studimeve Kulturore – Romë) dhe të tjera.

Media dhe Vlerësime Publike:

Dr. Skerdi Faria është njohur si një ndër mjekët më me ndikim në fushën e kirurgjisë estetike dhe është intervistuar e cituar nga mediat kryesore në Shqipëri dhe Itali, përfshirë:
• Itali: Rai 1, Rai 2, Rai 3, Mediaset, La7, Corriere della Sera, Il Sole 24 Ore, Il Messaggero, La Gazzetta del Mezzogiorno, Il Tempo, Adnkronos.
• Shqipëri: Top Channel, Klan TV, Vizion Plus, Shqiptarja.com, Panorama, Gazeta Express.

Për më shumë informacione klikoni këtu