Bullizmi ka qenë një problem i pranishëm në shoqëri për një kohë të gjatë. Në epokën moderne, me zhvillimin e teknologjisë dhe mediave sociale, ai ka marrë përmasa të reja. Bullizmi fizik dhe verbal janë forma tradicionale të këtij fenomeni. Por bullizmi kibernetik ka sjellë një dimension shtesë, duke e bërë të vështirë për individët të largohen nga sulmet dhe komentet negative. Për fat të keq, për shumë persona që përjetojnë bullizmin, ndikimi i tij nuk është vetëm emocional apo psikologjik. Shpesh ai çon edhe në vendime për të ndryshuar pamjen e tyre përmes ndërhyrjeve kirurgjikale.
Bullizmi: si ndikon në vendimin për ndërhyrjet kirurgjikale?
Bullizmi lidhet ngushtë me mënyrën se si individët e perceptojnë veten dhe trupin e tyre. Komentet negative, talljet dhe presioni i madh social për një pamje “perfekte” shpesh shkaktojnë dëmtim të vetëbesimit dhe vetëvlerësimit. Studimet kanë treguar se bullizmi, mund të nxisë ndjenjën e pakënaqësisë me trupin dhe dëshirën për ndryshime estetike. Disa individë që përjetojnë bullizmin për periudha të gjata kohe, ndihen të detyruar të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale. Kjo për të shmangur më tej sulmet dhe për të përmirësuar vetëvlerësimin e tyre. Një studim nga Shoqata Amerikane e Kirurgjisë Plastike (ASPS) tregoi se një pjesë e madhe e pacientëve që kryejnë ndërhyrje estetike janë ndikuar nga komentet negative dhe presioni social, shpesh i lidhur me bullizmin. Fëmijët dhe të rinjtë janë më të prekshëm ndaj bullizmit. Ata shpesh mendojnë se një ndryshim në pamjen e tyre mund të ndihmojë në eliminimin e burimeve të bullizmit.
Ndërhyrjet kirurgjikale të kryera si pasojë e bullizmit
Janë disa ndërhyrje kirurgjikale që kryhen shpesh për shkak se ndikon bullizmi. Disa nga procedurat më të zakonshme që kryhen si pasojë e këtij fenomeni mund t’i ndajmë në dy kategori. Bullizmi për shkak të pamjes fizike dhe ai për shkak peshës apo problemeve dermatologjike.
Bullizmi për pamjen fizike
- Rinoplastika: Hundët janë shpesh objekt talljeje dhe vëmendjeje negative, sidomos në rininë e hershme. Adoleshentët dhe të rriturit që kanë përjetuar bullizëm për formën, madhësinë apo strukturën e hundës shpesh zgjedhin rinoplastikën si një zgjidhje për të përmirësuar pamjen e tyre dhe për të përballuar pasojat e bullizmit. Rinoplastika mund të përmirësojë vetëbesimin, por edhe të ndihmojë në lehtësimin e vështirësive fizike që lidhen me frymëmarrjen.
- Otoplastika: Fëmijët shpesh bëhen viktima të bullizmit për shkak të veshëve të dalë ose jo proporcionalë me kokën. Otoplastika është një ndërhyrje e zakonshme që ndihmon në korrigjimin e veshëve të mëdhenj apo të spikatur. Ajo i bënë ata më simetrikë dhe më pranë kokës. Kjo ndërhyrje mund të ndihmojë personat të ndihen më të sigurt dhe më pak të shqetësuar nga komentet negative.
- Reduktimi ose zmadhimi i gjoksit: Edhe madhësia e gjoksit mund të bëhet objekt bullizmi, sidomos për femrat adoleshente. Vajzat që kanë gjinjtë të mëdhenj ose shumë të vegjël shpesh bëhen viktima të talljeve në shkollë dhe në ambientet sociale. Ndërhyrjet si zmadhimi ose reduktimi i gjoksit janë të zakonshme për të ndihmuar individët të përballojnë këtë lloj bullizmi. Gjithashtu ato ndihmojnë për të përmirësuar perceptimin e tyre për trupin e vet.
Bullizmi për problemet me lëkurën dhe peshën
- Ndërhyrjet për aknet dhe shenjat në fytyrë: Adoleshentët shpesh janë të ndjeshëm ndaj bullizmit për shkak të problemeve me aknet apo shenjat e lëkurës. Këto probleme estetike janë shpesh burim turpi dhe ndrojtjeje, duke çuar në uljen e vetëbesimit. Për këtë arsye, procedura si mikrodermabrasioni, lazeri për akne dhe trajtime për heqjen e shenjave janë ndërhyrje të zakonshme që individët kërkojnë për të përmirësuar pamjen e tyre dhe për të përballuar efektet psikologjike të bullizmit.
- Liposucioni dhe procedurat për kontrollin e peshës: Në shumë raste, fëmijët dhe të rriturit janë të bullizuar për peshën e tyre trupore. Komentet e vazhdueshme për peshën mund të çojnë në një përkeqësim të shëndetit mendor dhe madje në çrregullime të të ngrënit. Liposucioni, i kombinuar me procedura të tjera për modelimin e trupit, shpesh bëhet zgjedhje për individët që dëshirojnë të ndryshojnë strukturën trupore pas presioneve të bullizmit të lidhura me peshën.
Bullizmi: ndikimi emocional dhe psikologjik
Bullizmi ka një ndikim të thellë në mirëqenien emocionale dhe psikologjike të individëve. Ndërhyrjet kirurgjikale shpesh shihen si një rrugëdalje. Kjo, për të zgjidhur jo vetëm problemet fizike, por edhe për të adresuar pasojat emocionale të bullizmit. Ndërhyrjet estetike mund të ndihmojnë në rritjen e vetëvlerësimit dhe të vetëbesimit, duke krijuar një ndjenjë më të mirë për trupin. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ndërhyrjet kirurgjikale nuk duhet të jenë gjithmonë zgjidhja e parë. Konsultimi me një psikolog ose terapist mund të jetë i domosdoshëm për të përballuar pasojat e bullizmit. Gjithashtu dhe për të shqyrtuar nëse ndërhyrja kirurgjikale është vërtet e nevojshme për të përmirësuar gjendjen mendore dhe fizike të individit.
Përfundime
Bullizmi ka një ndikim të thellë në shëndetin emocional dhe fizik të individëve. Për disa, ndërhyrjet kirurgjikale janë një mënyrë për të marrë kontrollin mbi pamjen e tyre dhe për të përballuar presionin social. Gjithsesi, është thelbësore që para se të merret një vendim për ndërhyrje kirurgjikale, të bëhet një vlerësim i kujdesshëm për nevojat emocionale dhe fizike të individit, duke përfshirë ndihmën profesionale në trajtimin e çështjeve psikologjike që lidhen me bullizmin.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
