Aknet janë një problem i zakonshëm i lëkurës që shkaktohet nga një kombinim faktorësh. Në thelb, ato ndodhin kur gjëndrat dhjamore prodhojnë tepricë sebumi, një vaj natyral që hidraton lëkurën. Ky sebum i tepërt, së bashku me qelizat e vdekura të lëkurës, mund të bllokojë poret, duke krijuar kushte ideale për zhvillimin e baktereve. Inflamacioni që pason shkakton shfaqjen e puçrrave, njollave dhe cisteve. Shfaqja e akneve shpesh lidhet me hormonet, veçanërisht gjatë adoleshencës, ciklit menstrual, shtatzënisë ose përdorimit të disa medikamenteve si kortikosteroidet. Faktorë të tjerë, si gjenetika, dieta e pasur me sheqer dhe bulmet, produktet kozmetike jo të përshtatshme dhe stresi, mund të përkeqësojnë problemin. Gjithashtu, ndikimet e jashtme si ndotja ose prekja e shpeshtë e fytyrës kontribuojnë në përhapjen e akneve. Kujdesi i duhur, duke përfshirë pastrimin e rregullt dhe përdorimin e produkteve jo-komedogjenike, është çelësi për menaxhimin e tyre.
Gabimet që bëjmë gjatë pastrimit të fytyrës
Pastrimi i fytyrës është thelbësor për të parandaluar aknet. Kjo ndihmon në largimin e vajit të tepërt, papastërtive dhe baktereve që mund të shkaktojnë inflamacion dhe bllokim të poreve. Kur lëkura pastrohet në mënyrë të duhur, ajo parandalon formimin e puçrrave të reja. Megjithatë, pastrimi i tepërt ose i pasaktë mund ta përkeqësojë situatën. Gabimet më të zakonshme janë përdorimi i produkteve shumë agresive, të cilat mund të irritojnë lëkurën. Po ashtu, larja shumë e shpeshtë mund të çojë në tharje dhe stimulim të tepruar të prodhimit të sebumit, duke shkaktuar më shumë akne. Nga ana tjetër, një pastrim i pamjaftueshëm lë papastërti në lëkurë, duke bllokuar poret dhe favorizuar zhvillimin e akneve. Edhe lënia e grimit gjatë natës bllokon poret dhe krijon mjedis të favorshëm për zhvillimin e baktereve që shkaktojnë aknet. Gjithashtu peshqirët e papastër shpesh transferojnë baktere në lëkurë, ndaj duhet t’i ndërroni shpesh.
Aknet në shtatzëni
Gjatë shtatzënisë, ndryshimet hormonale mund të shkaktojnë shpërthime aknesh. Rritja e niveleve të progesteronit nxit prodhimin e yndyrës, duke shkaktuar bllokim të poreve. Por si t’i trajtojmë aknet gjatë shtatzënisë? Për trajtimin e akneve gjatë shtatëzanisë duhet të ndjekim disa hapa shumë të rëndësishëm, ku ndër më kryesorët janë:
- Zgjidhni produkte të sigurta. Shmangni retinoidet dhe acidin salicilik me përqendrim të lartë. Zgjidhni produkte me përbërës të sigurt si acid azelaik ose acid laktik.
- Mbani një rutinë të butë. Përdorni pastrues pa sulfate dhe hidratues jo-komedogjenikë.
- Konsultohuni me dermatologun. Nëse aknet përkeqësohen, këshillohuni me një specialist për trajtime specifike që nuk ndikojnë në shtatzëninë tuaj.
Aknet hormonale: çfarë i shkakton dhe si të trajtohen?
Aknet hormonale janë të zakonshme si gjatë adoleshencës ashtu edhe te të rriturit. Tek të rriturit, këto shpërthime janë zakonisht të lidhura me ndryshimet hormonale gjatë ciklit menstrual, shtatzënisë ose menopauzës. Aknet hormonale kanë disa karakteristika, ndër të cilat përmendim:
- Shfaqen kryesisht në zonën e nofullës dhe mjekrës.
- Janë të thella, shpesh të dhimbshme dhe të prirura për t’u kthyer.
Trajtimi i akneve hormonale bëhet duke ndjekur disa këshilla dhe hapa, të cilat ndihmojnë në largimin e tyre. Disa prej rregullave që duhet të ndjekim janë:
- Dieta. Shmangni sheqerin e rafinuar dhe produktet me indeks të lartë glicemik, që mund të rrisin nivelet e insulinës dhe të përkeqësojnë aknet.
- Trajtime topikale. Përdorni produkte me acid salicilik, acid glikolik ose niacinamide.
- Opsione mjekësore. Dermatologu mund të rekomandojë trajtime hormonale si pilulat kontraceptive ose spironolaktonën.
A ndikon telefoni juaj te aknet?
Telefoni është një burim bakteresh që mund të kontribuojë te aknet dhe shfaqjen e tyre, sidomos në zonën e faqeve dhe nofullës. Kjo ndodh sidomos kur mbështetni telefonin në lëkurë, pasi bakteret dhe yndyra transferohen në fytyrë. Gjithashtu telefoni mund të nxisë djersitjen dhe bllokimin e poreve, çka sjell më pas shfaqjen e akneve. Disa prej masave që mund të ndërrmerni për të shmangur ndikimin negativ të telefonit janë:
- Pastroni ekranin rregullisht. Përdorni solucione antibakteriale për të dezinfektuar ekranin çdo ditë.
- Përdorni kufje. Kufjet zvogëlojnë kontaktin e telefonit me fytyrën.
- Shmangni prekjen e fytyrës. Përpiquni të mos prekni fytyrën pasi të keni përdorur telefonin.
Si të kujdeseni për lëkurën me akne pas moshës 30 vjeç
Pas moshës 30 vjeç, lëkura fillon të humbasë elasticitetin dhe proceset rigjeneruese ngadalësohen. Kjo kërkon një qasje më të kujdesshme në trajtimin e akneve. Hapat e duhur për kujdesin ndaj lëkurës mund të jenë:
- Hidratim i rregullt. Përdorni hidratues me acid hialuronik për të mbajtur lëkurën të hidratuar pa bllokuar poret.
- Eksfolim i lehtë. Zgjidhni eksfoliantë kimikë si acid laktik ose PHA për të shmangur irritimin.
- Përdorni retinoide. Retinoidet ndihmojnë në zvogëlimin e akneve dhe nxisin prodhimin e kolagjenit.
- Mbroni lëkurën nga dielli. Kremrat mbrojtës nga dielli me përmbajtje minerale janë të domosdoshëm për të shmangur dëmtimet e lëkurës.
- Trajtime profesionale. Peeling kimik ose terapitë me dritë LED janë shumë efektive për të trajtuar aknet dhe përmirësuar strukturën e lëkurës.
Aknet janë një sfidë, por me një rutinë të mirë dhe me qasje të personalizuar, mund të kontrolloni dhe përmirësoni dukshëm gjendjen e lëkurës suaj. Kujdesuni për lëkurën tuaj me durim dhe produkte cilësore për rezultate afatgjata.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
