Heqja e implanteve të gjirit është një procedurë kirurgjikale që kryhet për të larguar implantet e gjirit të vendosura më parë. Kjo ndërhyrje bëhet për arsye të ndryshme, duke përfshirë dëshirën për një pamje më natyrale, komplikacione shëndetësore ose thjesht ndryshimin e preferencave personale. Por çfarë duhet të dini rreth procesit, si kryhet, cilat janë përfitimet, rreziqet dhe ndikimin e saj afatgjatë?
Çfarë është heqja e implanteve të gjirit?
Heqja e implanteve të gjirit është përfshin largimin e implanteve të silikonit ose të solucionit fiziologjik nga gjoksi i një personi. Në disa raste, kirurgjia përfshin edhe largimin e indeve kapsulare që janë krijuar rreth implanteve, një proces i njohur si kapsulectomia. Kjo procedurë mund të kryhet si një ndërhyrje e pavarur ose të kombinohet me një ngritje të gjirit për të përmirësuar formën dhe konturin e gjirit pas largimit të implanteve.
Pse kryhet heqja e implanteve të gjirit?
Heqja e implanteve të gjirit është një procedurë që kryhet për një sërë arsyesh, të cilat shpesh lidhen me shëndetin, pamjen estetike ose ndryshimet në preferencat personale të pacientit. Ja arsyet se përse disa gra vendosin të heqin implantet e gjirit:
Komplikimet shëndetësore dhe ndikimi në mirëqenie
Një nga arsyet kryesore për heqjen e implanteve të gjirit është përballja me komplikime shëndetësore. Me kalimin e kohës, implantet mund të shkaktojnë probleme të ndryshme, si rrjedhja e materialit të tyre, që mund të dëmtojë indet përreth, apo kontraktura kapsulare, një gjendje që shkakton ngurtësim të indeve, dhimbje dhe deformime të dukshme të gjirit. Përveç kësaj, infeksionet e përsëritura ose dhimbja kronike në zonën e gjirit mund të bëjnë të domosdoshme largimin e implanteve. Një tjetër arsye që nxit këtë vendim është ajo që njihet si sëmundja e lidhur me implantet e gjirit. Kjo gjendje përfshin simptoma si lodhje kronike, dhimbje në kyçe, humbje të flokëve dhe madje edhe probleme autoimune. Për shumë gra, heqja e implanteve sjell një përmirësim të dukshëm në shëndet dhe mirëqenie, duke eliminuar shqetësimet që lidhen me këto simptoma.
Ndryshimet estetike, stilit i jetës dhe ndikimi psikologjik
Në disa raste, arsyet për heqjen e implanteve janë të lidhura me aspektet estetike ose ndryshimet në stilin e jetës. Shumë gra vendosin që pas disa viteve të largojnë implantet dhe të rikthehen në pamjen e tyre natyrale. Ky vendim shpesh ndikohet nga mosha, ndryshimet fizike si shtimi ose humbja në peshë, apo dëshira për një trup që reflekton më shumë autenticitet dhe harmoni me stilin e tyre të jetesës. Përveç kësaj, arsye psikologjike luajnë një rol të rëndësishëm. Për disa gra, implantet mund të mos përputhen më me vetëvlerësimin ose mënyrën se si e shohin trupin e tyre me kalimin e kohës. Ndryshimet në perceptimin personal dhe dëshira për të pasur një pamje që lidhet më shumë me natyralitetin dhe rehatinë shpirtërore shpesh çojnë në këtë vendim.
Si kryhet procedura?
Ky operacion është zakonisht një procedurë e personalizuar që përshtatet sipas nevojave dhe preferencave të pacientit. Ja si kryhet ajo në mënyrë të detajuar:
- Konsultimi fillestar. Mjeku vlerëson historikun shëndetësor, shqyrton gjendjen e implanteve dhe diskuton rezultatet e pritura.
- Anestezia. Zakonisht përdoret anestezia e përgjithshme për të siguruar komoditet gjatë operacionit.
- Heqja e implanteve. Kirurgu bën prerje në të njëjtin vend ku u vendosën implantet fillimisht për të minimizuar shenjat. Nëse është e nevojshme, largohen edhe indet kapsulare.
- Rikonturimi i gjirit. Nëse gjoksi ka humbur elasticitet ose formë pas heqjes së implanteve, mund të kryhet një ngritje për të arritur një pamje më estetike.
- Mbyllja e plagëve. Pasi mbaron ndërhyrja, prerjet mbyllen me qepje dhe vendoset një fashë për të mbrojtur zonën.
- Kujdesi pas operacionit. Pas përfundimit të operacionit, pacienti zakonisht qëndron për disa orë në klinikë për vëzhgim. Më pas mund të shkojë në shtëpi, me kusht që të ndjekë me përpikëri udhëzimet e mjekut. Procesi i rikuperimit ndryshon nga një pacient te tjetri, por shumica e njerëzve kthehen në aktivitetet normale brenda disa javësh.
Rreziqet dhe komplikimet e mundshme
Si çdo operacion tjetër kirurgjikal, edhe heqja e implanteve të gjirit mbart disa rreziqe. Ato përfshijnë:
- Infeksion
- Gjurmët e dukshme të plagëve
- Humbja e ndjeshmërisë në zonën e gjirit ose thithave
- Asimetri e gjinjve
- Dhimbje ose ënjtje e vazhdueshme
- Rezultate estetike që nuk përputhen me pritshmëritë
Është e rëndësishme të zgjidhni një kirurg me përvojë për të minimizuar këto rreziqe dhe për të siguruar rezultate optimale.
Heqja e implanteve të gjirit: anët pozitive dhe negative
Heqja e implanteve të gjirit është një vendim i rëndësishëm që ndikon në shëndetin, pamjen dhe mirëqenien emocionale të pacientit. Më poshtë paraqiten avantazhet dhe disavantazhet kryesore të kësaj procedure, për të ndihmuar në marrjen e një vendimi të informuar.
Anët pozitive
- Përmirësimi i shëndetit dhe mirëqenies. Shumë gra që heqin implantet e gjirit raportojnë përmirësime në shëndetin e përgjithshëm, sidomos ato që kanë përjetuar simptoma të lidhura me sëmundjen nga implantet e gjirit, si lodhje kronike, dhimbje të kyçeve ose shqetësime autoimune. Pas heqjes së implanteve, këto simptoma shpesh zbuten ose largohen plotësisht.
- Eliminimi i komplikimeve të lidhura me implantet. Implantet e gjirit mund të shkaktojnë probleme të ndryshme me kalimin e kohës, si: Kontraktura kapsulare, rrjedhja ose shpërthimi i implantit apo infeksione ose inflamacion
- Rikthimi në një pamje më natyrale. Për disa gra, implantet mund të mos përputhen më me preferencat e tyre personale ose stilin e jetës. Pas heqjes së implanteve, gjoksi mund të duket më i natyrshëm dhe të përshtatet më mirë me ndryshimet në trupin e tyre.
- Eliminimi i nevojës për mirëmbajtje të vazhdueshme. Implantet e gjirit zakonisht kërkojnë mirëmbajtje afatgjatë, si kontrollime të rregullta dhe ndonjëherë zëvendësim pas 10-15 vitesh. Pas heqjes së implanteve, nuk ka më nevojë për ndërhyrje të tilla.
- Shëndet mendor dhe emocional. Shumë gra ndihen më të sigurta dhe të lehtësuara pas heqjes së implanteve, sidomos nëse kanë pasur shqetësime të vazhdueshme rreth komplikimeve apo ndikimit të tyre në shëndet.
Anët negative
- Ndryshimet estetike. Heqja e implanteve mund të çojë në një ndryshim të madh në pamjen e gjinjve, veçanërisht nëse implantet kanë qenë të mëdha. Pas largimit të implanteve, gjoksi mund të duket, i rënë ose me lëkurë të tepërt ose edhe më i vogël dhe më pak i plotë
- Nevoja për procedura shtesë. Nëse gjoksi duket i deformuar ose i rënë pas heqjes së implanteve, mund të kërkohet një procedurë shtesë, si ngritja e gjirit. Kjo mund të rrisë koston dhe kohën e rikuperimit.
- Shenjat kirurgjikale. Heqja e implanteve lë shenja në vendet e prerjeve kirurgjikale. Megjithëse kirurgët përpiqen t’i vendosin ato në zona të padukshme, disa pacientë mund të shqetësohen nga prania e tyre.
- Koha e rikuperimit. Pas operacionit, rikuperimi mund të zgjasë disa javë. Gjatë kësaj kohe, pacienti mund të përjetojë: Dhimbje dhe ënjtje, kufizim të aktiviteteve fizike si dhe kohë të nevojshme për shërimin e plotë të plagëve
Çfarë duhet të prisni pas ndërhyrjes?
Pas operacionit, shumica e pacientëve përjetojnë pakëz dhimbje dhe ënjtje, por këto simptoma zakonisht largohen brenda pak javësh. Rezultatet përfundimtare mund të shihen pas disa muajsh, pasi trupi të jetë shëruar plotësisht. Është e rëndësishme të ndiqni udhëzimet e kirurgut për kujdesin post-operativ dhe të shmangni aktivitetet intensive gjatë fazës së rikuperimit.
info@keit.al
Tiranë: +355 68 20 00 622
